Borrell paralajmëron bisedime për dy tema “të ndjeshme”

Borrell paralajmëron bisedime për dy tema “të ndjeshme”

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politike të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, është deklaruar rreth takimeve që po zhvillon me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njofton Insajderi.

Borrell tashmë është duke i zhvilluar këto takime bilaterale të cilat do të pasohen me një takim të përbashkët.

Në një deklaratë që është shpërndarë nga zyra e tij, Borrell ka paralajmëruar se sot në dialog do të hapen dy çështje, që ai i ka quajtur “të ndjeshme”, por “shumë të rëndësishme, më saktësisht çështjet e kërkesave pronësore e financiare, si dhe aranzhimet për komunitetet joshumicë në Kosovë”, njofton REL, transmeton Insajderi.

“Bisedimet nuk janë gjithmonë të lehta. Prandaj unë jam i lumtur të shoh përkushtim dhe respekt nga të dyja palët. Mirëpres faktin se ata e konfirmuan këtë së bashku në deklaratën e përbashkët, ku u shprehen se e kanë si prioritet të lartë integrimin në BE dhe vazhdimin e punës në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Borrelli.

Ai po ashtu tha se “është e natyrshme që qëndrimet të jenë të ndryshme, porse ata kanë ardhur këtu për të gjetur gjërat e përbashkëta dhe të punojnë drejt normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve të tyre, duke u përballur më të gjitha çështjet e hapura”.

Borrelli tha se në këtë takim do të bisedohen për aranzhimet për komunitetet joshumicë dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore.

“Të dyja këto tema janë shumë të ndjeshme dhe shumë të rëndësishme për raportet e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë dhe për jetën e përditshme të njerëzve”, ka thënë Borrell. /Insajderi.com