Bosnja fton Kosovën të dialogojnë për heqjen e taksës – Kështu përgjigjet Qeveria e Kosovës

Bosnja fton Kosovën të dialogojnë për heqjen e taksës – Kështu përgjigjet Qeveria e Kosovës

Pas dy muajve kohë nga vendosja e taksës ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnjë-Hercegovina, kjo e fundit i ka bërë ftesë institucioneve të Republikës së Kosovës që të dialogojnë për largimin e masës 100 për qind ndaj produkteve të tyre. Përkundër presionit të gjithanshëm, Qeveria e Kosovës mbetet e palëkundur në vendimin e saj.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka konfirmuar për Periskopin se ashtu siç parashihet me marrëveshjen e CEFTA’s, Kosova do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese, e cila është paraparë për javën e ardhshme.

Megjithatë, ministri Shala tregon se liderët institucionalë nuk do të shkojnë për bisedime, por vetëm stafi profesional që zakonisht shkon në takimet e CEFTA’s.

”Ashtu siç e sheh marrëveshja e CEFTa’ës, ku aty parashihen kosultimet në rast se ka ndonjë problem nga njëra palë. Bosnja ka kërkuar në mënyrë zyrtare në bazë të marrëveshjes së CEFT’A’s konsultime me Republikën e Kosovës. Ka dërguar letër në institucionet e Republikës së Kosovës. Ne kemi stafin profesional që marrin nëpër takimet e CEFTA’s. Iu kemi përgjigjur pozitivisht. Stafi jonë do të mbajë takimin me përfaqësuesit e Bosnjës javën e ardhshme’’, ka thënë Shala për Periskopin.

Tutje ai e bën të qartë se përkundër këtij takimi, taksa ndaj Bosnjës nuk do të hiqet.

‘’Stafi  do t’ia sqarojë atyre arsyet përse Republika e Kosovës ka ndëmarrë masë të tillë dhe do t’i tregojmë që masa do të vazhdojë të mbetet në fuqi. Përderisa nuk eliminohen arsyet të cilat na kanë detyruar neve si Qeveri që të marrim një vendim të tillë’’, ka përfunduar ministri.

Bosnja dhe Hercegovina ishte sanksionuar nga Qeveria e Kosovës  për çështje të reciprocitetit. Kjo  masë u ndërmor për shkak të pengesave që u bëhen biznesëve kosovare , si dhe moslejimi i automjeteve nga Kosova që  të hyjnë në territorin e Bosnjës.

Përkundër presionit nga Serbia por edhe nga Bosnja, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se do të mbetet i palëkundur në vendimin e tij.

Haradinaj vlerësoi se Serbia, si importuesja më e madhe, meriton taksën si kundërpërgjigje ndaj fushatës së ashpër kundër shtetësisë së Kosovës.

Në anën tjetër, edhe SHBA e Bashkimi Evropian kanë kërkuar që urgjentisht të hiqet taksa 100 për qind. Megjithatë  Qeveria e Kosovës ka injoruar edhe  kërkesën e ndërkombëtarëve.

Kujtojmë që përveç Serbisë e cila nuk do që ta njohë Kosovën, as Bosnjë-Hercegovina nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim.