Kërkohet përmirësim i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Bosnjës

Kërkohet përmirësim i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Bosnjës

Marrëdhëniet në mes të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës nuk janë në nivelin e dëshirueshëm, andaj kërkohet që të dy vendet të bëjnë më shumë drejt përmirësimit të tyre.

Kështu është thënë sot në diskutimin e hapur të organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Bosnje dhe Hercegovinë ku u fol për liberalizimin e vizave në mes të dy vendeve.

Darko Brkan, drejtor i organizatës ‘’Pse Jo?’’ (Zasto Ne?) nga Bosnja, ka pohuar se bashkëunimi në mes të dy vendeve nuk është ende prioritet.

Sipas tij, nuk ekziston vullneti institucional për zgjidhje të problemit brenda dhe jashtë vendeve.  Bllokada sipas tij është aq e madhe sa që vështirë të merret ndonjë vendim i duhur.

‘’Politika jonë është getoizuese. Në këtë drejtim duhet të jenë dy elemente që duhet të përcillen; e para,  arritja e mbështetjes së gjerë dhe e dyta, mënyra procedurale që është aspekt i rëndësishëm. Gjithë energjinë të vëmë në praktikë dhe do të ketë ndikim të thellë që problemet të zgjidhen’’, ka thënë Brkan.

Në anën tjetër, Azem Vllasi, pjesëmarrës në këtë tryezë, ka thënë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është kryekëput problem i Bosnjës, sepse siç ka thënë ai, “lëvizja e lirë nuk u intereson fare institucioneve të këtij shteti”.

Ndërkaq Alma Mashiç, drejtoreshë e Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Bosnje, thotë se në rast liberalizimi të lëizjes së qytetarëve, do të bhëje edhe heqja e paragjykimeve që kanë qyetarët e dy vendeve për njëri-tjetrin.

‘’Kohën e fundit bashkëpunimi me Kosovën është pamundësuar. Me këtë rast është folur për procedurë por duhet të jemi fleksibil. Duhet të thjeshtëzohen procedurat dhe të drejtohemi kah të drejtat e njerëzve. Qëllimi është heqja e paragjykimeve’’, pohoi Mashiç.

Analisti Shkëlzen Maliqi, pretendon se mbetet e paqartë se pse Bosnja e Hercegovina nuk ka ndjekur logjikën pragmatiste që është aplikuar në dialogun Kosovë-Serbi. Sipas tij, dy vendet kanë qenë pjesë e Ish-Jugosllavisë duke lënë gjurmë pozitive dhe si të tilla nuk mund të shlyhen aq lehtë.

‘’Vendet janë takuar tashmë dhe sot nënshkruajnë edhe në apel ku shprehin interesin jetik të tyre për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Bosnjës, ku jemi përkrahës të tyre duke u zgjeruar edhe në fusha tjera të bashkëpunimit nga këto vende dhe rajoni në përgjithësi’’, tha Maliqi.

Ndërkohë gjatë diskutimeve u tha që përgjegjësia mediale nuk mund të konsiderohet si gjenerator i gjuhës së urrejtjes, ajo që mediat kanë bërë është se kanë kontribuar në insistim të ndryshimeve që nga viti 1990, në favor të dy vendeve./Insajderi.com