Botsan-Kharchenko: Kurrfarë provokimesh nuk mund të dëmtojnë marrëdhëniet e Rusisë dhe Serbisë

Ambasadori rus në Beograd Alexandar Botsan-Kharchenko ka deklaruar se “gjoja” rekrutimi i zyrtarit serb nga ana e spiunit rus nuk mund të shkaktojë dëme për marrëdhëniet e dy vendeve dhe ka vlerësuar se “bëhet fjalë për provokim” para takimit të zyrtarëve më të lartë të Rusisë dhe Serbisë.

Botsan-Kharchenko: Kurrfarë provokimesh nuk mund të dëmtojnë marrëdhëniet e Rusisë dhe Serbisë

“Para takimeve të rëndësishme në nivel të lartë, paraqitet ndonjë provokim, diçka skandaloze, ne jemi mësuar me këtë dhe pavarësisht këtyre provokimeve, shkojmë më tutje. Kurrfarë tregimi skandaloz, gjegjësisht gjoja rekrutimi i ushtarit serb nga ushtari rus, nuk mund të shkaktojnë ndonjë dëm për marrëdhëniet tona”, ka thënë Botsan-Kharchenko për RTS.

Për shkak të xhirimit të pranim-dorëzimit të parave në mes të spiunit rus dhe zyrtarit të lartë “anonim” serb, të publikuar më 17 nëntor në YouTube, është mbajtur edhe seanca e Këshillit për Siguri Kombëtare e Serbisë me të cilin kryeson presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë Maria Zaharova ka deklaruar se xhirimi ku shihet se “gjoja” agjenti rus po i dorëzon një qese oficerit serb paraqet “provokim” para takimit të zyrtarëve më të lartë, derisa zëdhënësi i Kremlinit Dimitrij Peskov është shprehur i bindur se asgjë nuk mund ë dëmtojë marrëdhëniet e Rusisë dhe Serbisë, përkundër asaj që Vuçiq i ka hapur hetimet me rastin e aferës së spiunazhit në të cilin është përzier spiuni rus./Insajderi.com.