Aeroporti “Adem Jashari”

Brenda dhjetë ditësh rifillojnë fluturimet e rregullta

Aeroporti “Adem Jashari” kishte reduktuar aktivitetin vetëm në fluturime të organizuara nga institucionet prejse janë shfaqur rastet e para me COVID-19 në Kosovë. Tash, pas disa muajsh, pritet rinisje dhe kthim në normalitet.

Brenda dhjetë ditësh rifillojnë fluturimet e rregullta

Fluturimet e rregullta në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” pritet të rinisin brenda dhjetë ditësh ka thënë ministri i ri i Infrastrukturës dhe Ambientit në Qeverinë e Kosovës, Arban Abrashi.

Abrashi deklaroi për Radion Evropa e Lirë se ka zhvilluar takime me të gjitha institucionet, përfshirë këtu Autoritetin e Aviacionit Civil, Aeroportit, kompanitë ajrore dhe Ministrinë e Shëndetësisë, për rikthimin sa më të shpejtë të fluturimeve.

“Po bëjmë përpjekje që brenda dhjetë ditësh të bëhet rifillimi i plotë i fluturimeve ndërkombëtare, duke respektuar plotësisht udhëzimet për masat e sigurisë për parandalimin e COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi], të lëshuara nga Agjencioni Evropian i Sigurisë së Aviacionit (EASA) dhe udhëzimet tjera nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Abrashi./Insajderi.com