Pikërisht në platformën Twitter, ku ish-këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, tash drejtori i MCC-së, Petrit Selimi, krenohet se është bastioni i tij më i fuqishëm, brenda javës ka pësuar debakël intelektual e diplomatik.
Selimi, i cili më parë ka shërbyer formalisht si këshilltar i Hashim Thaçit, gjatë viteve të fundit ka punuar pjesërisht si “admin” i presidentit në platformën Twitter, shkruan Insajderi.
Mirëpo, ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, i cili është goxha aktiv në Twitter, ka pranuar dy “goditje” brenda javës në këtë rrjet social. Njërën me profilin e tij personal në Twitter, ndërkaq tjetrën e ka pranuar me llogarinë e presidentit Hashim Thaçi, të cilën e menaxhon.
Java e mbrapshtë e Petrit Selimit në Twitter ka nisur kur të martën e kësaj jave duke e cituar një shkrim të rrejshëm të Al Jazeera-s në Twitter. Në këtë shkrim, sipas Selimit, thuhej se Gjermania do ta shtonte numrin e lejeve të punës për punëtorë nga Ballkani.
“Gjermania do të rrisë edhe më shumë numrin e lejeve të punës për Ballkanin. 56% e kompanive gjermane ankohen për mungesë të stafit. 100,000 banorë që largohen nga Ballkani Perëndimor çdo vit”, shkroi fillimisht Selimi.
Mirëpo, për këtë informacion të cilin e shpërndau Selimi nuk ishte në dijeni as Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt. Ambasadori reagoi me ironi ndaj shkrimit të drejtorit të MCC-së.
“Kënaqësi të mësosh më shumë për vendin tim, unë nuk e kam këtë informacion. Por sigurisht keni burime më të forta se unë në vendin tim”, i ka shkruar si me shaka ambasadori Heldt, Petrit Selimit.
Por, kjo nuk ishte e tëra çka përjetoi Petrit Selimi në platformën Twitter këtë javë. Tri ditë pas këtij debakli, menaxhuesi i llogarisë së Hashim Thaçit në Twitter pësoi një debakël tjetër diplomatik.
Ai, shkroi nga llogaria e Presidentit Thaçi për njohjen e Republikës së Kosovës nga Republika e Xhamajkës të enjten, por u demantua disa orë më vonë, shkruan Insajderi.
Duke i reaguar me koment deklarimit të Hashim Thaçit në Twitter, ministrja për Punë të Jashtme e Xhamajkës, Kamina Johnson-Smith, ka thënë se Xhamajka nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës deri më tani.
“Deri më tani Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën si shtet i pavarur”, shkroi ministrja e Jashtme e Xhamajkës.
Pavarësisht dy dështimeve të javës në Twitter, Petrit Selimi ka vazhduar të jetë aktiv në Twitter edhe mëngjesin e së premtes, por nuk ka shkruar asgjë për të pavërtetën e njohjes së Kosovës nga Xhamajka. /Insajderi.com