Britania apelon tifozët e saj: Kujdes nga sulmet terroriste dhe mos udhëtoni drejt komunave veriore

Britania apelon tifozët e saj: Kujdes nga sulmet terroriste dhe mos udhëtoni drejt komunave veriore

Qeveria e Britanisë së Madhe ka lëshuar një njoftim për qytetarët e saj, të cilët planifikojnë të udhëtojnë në Kosovë, për të parë ndeshjen e futbollit në mes Kosovës dhe Anglisë.

Mes tjerash në njoftim thuhet se të gjithë tifozët e Anglisë që planifikojnë të udhëtojnë në Kosovë, duhet të kenë kujdes nga sulmet terroriste.

“Ka shumë gjasa që terroristët të kryejnë sulme në Kosovë. Sulmet mund të jenë pa dallime, përfshirë vendet e vizituara nga të huajt, tubimet e mëdha publike dhe ngjarjet kulturore. Terroristët mund të sulmojnë vendet fetare, përfshirë edhe kishat”, thuhet në njoftimin e Qeverisë britanike.

Përveç kësaj në njoftim theksohet se në Kosovë ka ende mjete të pa eksploduara.

Po ashtu tifozët janë këshilluar të mos udhëtojnë drejt komunave të Veriut të Kosovës: Zveçan, Zubin Potok, Leposavic, dhe në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.

“Ka pasur përleshje të dhunshme në veri të Kosovës dhe incidente që përfshijnë granata dhe shpërthime automjetesh në veri të Mitrovicës. Jini të kujdesshëm dhe shmangni tubimet publike, veçanërisht rreth zonës së Urës që ndan Mitrovicën në veri dhe jug”, thuhet tutje në njoftim.

Përveç numrave të telefonit të emergjencës brenda Kosovës, në njoftim figuron edhe adresa e ambasadës më të afërt të Britanisë së Madhe në Kosovë, ku tifozët anglezë mund të kërkojnë ndihmë në rast rreziku./Insajderi.com