Britania shënon numrin më të ulët ditor të viktimave të virusit gjatë prillit

Britania shënon numrin më të ulët ditor të viktimave të virusit gjatë prillit

Gjatë 24 orëve të kaluara, Britania e Madhe i ka regjistruar 368 viktima të koronavirusit. Kjo është shifra më e ulët për periudhën njëditore gjatë muajit prill.

Në Angli u shënuan 336 të vdekur nga Covid-19 dhe shifra e përgjithshme e viktimave shkoi në 18,420. Të vdekurit ishin nga mosha 28 deri në 100-vjeçare, ndërsa 22 prej tyre nuk kishin ndonjë sëmundje tjetër.

Qeveria skoceze njoftoi që gjatë 24 orëve të kaluara janë regjistruar 18 viktima të koronavirusit dhe numri i përgjithshëm i të vdekurve në shtetin verior të Mbretërisë së Bashkuar shkoi në 1,231, kurse numri i të infektuarve në 10,324.

Në Uells, gjatë kësaj periudhe u shënuan 14 të vdekur dhe numri i përgjithshëm i rasteve fatale tash është 788, shkruan “Daily Mail”.

Britania është ndër vendet më të prekura nga Covid-19 në Evropë, pas Italisë, Spanjës dhe Francës. Në kulmin e pandemisë, në këtë shtet vazhdimisht janë shënuar mbi 800 viktima në ditë.

Qeveria britanike është zotuar se deri në fund të muajit do ta arrijë qëllimin për kryerjen e 100 mijë testeve në ditë, bëri të ditur ministri Dominic Raab.