Britanisë i kushton 500 mln dollarë lirimi i aktivistes në Iran

Britanisë i kushton 500 mln dollarë lirimi i aktivistes në Iran

Gazeta britanike Telegraph raporton se Qeveria britanike është duke përgatitur transferimin e mbi 527 milionë dollarëve në Iran, për të ndihmuar lirimin e një punonjëseje iraniano-britanike të ndihmës.

Britania ia ka borxh fondet Iranit, si rezultat e një marrëveshjeje të diskutueshme për armë gjatë viteve 1970 dhe ka kërkuar këshilla ligjorë nëse mund t’i transferojë paratë në Republikën Islamike.

Raporti i Telegraph-it, duke cituar burime të Qeverisë britanike dhe diplomatë, thotë se Britania nuk dëshiron ta lidhë drejtpërdrejt pagesën me lirimin e punonjëses së burgosur të ndihmës, Nazanin Zaghari-Ratcliffe.

Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, është zotuar se do të bëjë “gjithçka ” të mundur për të liruar Zaghari-Ratcliffen, e cila është arrestuar në Teheran në prill të vitit 2016 dhe është dënuar me pesë vjet burgim, nën akuzat se ka bërë komplot për të rrëzuar establishmentin klerik të Iranit.

Zaghari-Ratcliffe, menaxhere projekti në Fondacionin Thomson Reuters, i ka hedhur poshtë akuzat.