Kryeministri Hoti, tha në mbledhjen e qeverisë, se objektivat janë të qarta "për ta përmbyllur këtë proces dhe jo të vazhdon si dialog teknik”.
Koordinatorët nga Kosova dhe Serbia do të takohen sot në Bruksel, ku do të diskutojnë temat që u biseduan në takimin e nivelit të lartë Kosovë-Serbi që u mbajt javën e shkuar nën ndërmjetësimin e BE-së, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kështu tha zëdhënësja e Bashkimit Evropian, për Çështje të Jashtme dhe Politika të Sigurisë në BE, Nabila Massrali, njofton Insajderi.
“Ne i kemi dërguar ftesat, presim që të dëgjojmë nga palët. Takimi i nivelit të ekspertëve do të fokusohet në temat që janë diskutuar”, thotë Massrali.
Ekspertët e të dyja vendeve, sipas Prishtinës zyrtare, do ta përgatisin draftin e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi. Ndërsa kundërshtojnë pohimet që dialogu i së enjtes në Bruksel ka karakter teknik.
Kryeministri Hoti, tha në mbledhjen e qeverisë, se objektivat janë të qarta “për ta përmbyllur këtë proces dhe jo të vazhdon si dialog teknik”.
“Mbi bazën e platformës janë mbajtur diskutime deri më tash duke filluar nga Samiti i Parisit dhe të dy palët jemi ulur dhe kemi dhënë qëndrimet tona. Unë kam prezantuar platformën tonë që janë parimet kryesore dhe objektivat tona që i kemi ne në këtë proces. Objektivi i jonë është të përmbyllim procesin, e jo dialogu teknik. Dje e kam emëruar koordinatorin për dialog që ka marr përsipër të gjitha”, tha kryeministri Hoti.
Koordinator nga Kosova në dialog është emëruar Skender Hyseni, i cili në Bruksel udhëton së bashku me Ibrahim Makollin.
Sipas kryeministrit, ata “do ta bëjnë draftimin e marrëveshjes finale, sa i përket çështjes së të pagjeturve”./Insajderi.com