Brukseli i “lëshon” rrugën Pekinit për të avancuar më tej në Ballkan

Brukseli i “lëshon” rrugën Pekinit për të avancuar më tej në Ballkan

Vendimi i Bashkimit Europian për të shtyrë bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk mund të merrej në një kohë më të papërshtatshme se kjo, shkruan për Politico.eu, Jacob Mardell, një studiues në Institutin Mercator për Studimet Kineze (MERICS)

Me angazhimin e Brukselit ndaj rajonit të Ballkanit që po vihet gjithnjë e më shumë në dyshim, nisma e Kinës, “Një Rrip, Një Rrugë”, është një alternativë shumë e mirë për shtetet të cilat po i humbasin shpresat për t’u bërë pjesë e BE-së, për shkak të pritjes e cila duket se nuk do të marrë fund kurrë.

Kina dikur ishte sinonim i veshjeve të lira dhe plastikës shumëngjyrëshe. Ndërsa sot, në Mal të Zi, ajo është sinonim i vinçave dhe i shtyllave të larta prej betoni. Këtu mund të përmendim edhe një prej projekteve më të fundit të Kinës në Mal të Zi, ndërtimin e urës 200 metra të lartë dhe 1 km të gjatë, mbi lumin Moraca.

Ky projekt, pjesë e një plani ambicioz për të ndërtuar një autostradë që fillon nga brigjet e Adriatikut deri në kufi me Serbinë drejtohet nga Korporata e Rrugëve dhe Urave të Kinës (CRBC), me një hua të dhënë nga Banka kineze Exim. Në Mal të Zi dhe në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, ndikimi i Kinës në fusha të ndryshme ka qenë i ulët, me përjashtim të faktit që ajo erdhi në këtë rajon me valixhet e mbushura plot me të para. Kjo gjë është në kontrast të theksuar me “Perëndimin”, i cili ka një traditë shekullore të ndërhyrjes në politikën vendase. Projekti i kushtueshëm në Mal të Zi, nuk gëzon mbështetjen e të gjithëve, por kritikët e tij më shumë fajësojnë qeverinë malazeze sesa Kinën.

Në një takim me një inxhinier në Podgoricë (që është i përfshirë në projektin e urës mbi lumin Moraca), unë e pyeta atë mbi ndikimin e mundshëm të Kinës në këtë rajon, tha z. Mardell. Inxhinieri, duke buzëqeshur, më tha se “BE-ja e ushtron ndikimin duke u treguar politikanëve tanë se çfarë duhet të bëjnë dhe se kë duhet të votojnë. Edhe në rastin e Kinës do të jetë pak a shumë e njëjta situatë, vetëm se do të ndryshojnë përparësitë”, tha në fund ai. Malazezët në përgjithësi janë pro BE-së, por ata janë edhe shumë të lodhur nga situata aktuale.
Ata mund të jenë më të zhgënjyer me politikanët e tyre sesa me Brukselin, por ata janë më të zemëruar ndaj faktit se shumë premtime janë bërë, por pothuajse asnjë prej tyre nuk është realizuar.

Një ndjesi e tillë është e përhapur gjerësisht në Ballkanin Perëndimor. Sa herë që i flet dikujt në rajonin e Ballkanit për Kinën, çështja e BE-së do të përmendet patjetër, shprehet z. Mardell.Në Maqedoninë e Veriut, një akademik vendas shprehet se gjatë pesë viteve të fundit, liderët e BE-së kanë thënë të njëjtat gjëra dhe asgjë prej tyre nuk është realizuar.

Ndërsa në një takim në Bosnjë-Hercegovinë me një ish-ministër, ky i fundit më tha se njerëzit janë të zhgënjyer dhe të lodhur nga kjo situatë. Ata kanë shpresuar dhe vazhdojnë të shpresojnë, por aktualisht asnjë prej shpresave të tyre, apo premtimeve që i janë bërë nuk është përmbushur, duke e parë kështu veten të papunë dhe në gjendje të vështirë ekonomike. E ardhmja është e paparashikueshme, por interesi ndaj BE-së nuk është në po të njëjtat nivele me atë të disa viteve më parë, përfundoi ish-ministri. Madje edhe në Shqipëri, një shtet që është jashtëzakonisht pro Perëndimit, një ish-politikan i vjetër, më thotë se nuk ka më rëndësi se i kujt është faji, e rëndësishme është që njerëzit të mos ndihen të zhgënjyer dhe të pashpresë.

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, ajo me të cilën u përballën njerëzit ishte dhuna dhe shkatërrimi i tmerrshëm ekonomik. Ndërsa, sot ata janë në një stanjacion nga i cili duket se nuk do të dalin shpejt. Mungesën e BE-së në rajonin e Ballkanit, Kina e ka kthyer në një avantazh të sajin duke i ofruar këtij rajoni investime dhe financime të ndryshme. Por ndryshe nga Brukseli, Pekini nuk kërkon vendosjen e ndikimit të tij politik, në këmbim të financimeve apo investimeve të ndryshme.

Si brenda vendit ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, Pekini i jep përparësi zhvillimit të reformave dhe të drejtave të njeriut. Në Ballkan, ai ka ndërmarrë ndërtimin e projekteve që BE-ja nuk do ta merrte kurrë nismën, si fabrikat e qymyrgurit në Bosnjë dhe Serbi dhe autostradën në Mal të Zi.
Në një konferencë të nismës kineze “Një Rrip, Një Rrugë” të organizuar nga Universiteti i Beogradit dhe financuar nga Ambasada e Kinës në Beograd, një nga akademikët organizues u shpreh se “ndërmjet Rusisë nga njëra anë dhe Europës nga ana tjetër, Kina është rruga e mesme më e mirë”.
Teksa unë shëtis në rrugët e Bosnjë dhe Hercegovinës, i shoqëruar nga një përkthyese, shikoj një numër të madh turistësh kinezë, shprehet z. Mardell. Për një kohë shumë të gjatë, Rusia ka qenë armiku kryesor i Perëndimit. Perëndimi vazhdon të jetë ende po ai Perëndim i së kaluarës dhe Ballkani po i njëjti. E vetmja fytyrë e re në këtë histori është Kina.

Prania e Pekinit në rajon është e re. Kina është një shtet i pasur dhe ajo i ofron këtij rajoni shpresë. Ajo po mundohet të mbushë boshllëqet e mëdha të lëna në mëshirë të fatit nga Brukseli, duke mos i lënë banorët e këtij rajoni në pritje të përhershme. Në Maqedoninë e Veriut, qeveria ra dakord që të ndryshojë emrin e shtetit të saj, për t’i dhënë fund një konflikti shumëvjeçar me Greqinë, që t’ia lehtësonte rrugën vetes drejt pranimit të mundshëm në BE. Edhe pse kjo çështje mund të duket me pak rëndësi, ajo mbart me vete një peshë të madhe emocionale, sidomos për shtetin e Maqedonisë së Veriut.

Gjatë një udhëtimi tjetër që kam bërë në këtë shtet për të hetuar mbi dy urat që po ndërtohen nga kompania kineze Sinohydro, shumë banorë vendas shpreheshin të revoltuar ndaj qeverisë maqedonase, duke thënë se kjo e fundit i ka marrë identitetin e kombit të tyre. Veprimi i qeverisë për t’i dhënë fund këtij konflikti, edhe pse duke i bërë një dëm të madh banorëve të saj, u bë për hir të integrimit në Bashkimin Europian, i cili është shtyrë për më vonë për shkak se Bundestagu ka një axhendë të ngarkuar gjatë verës.

Duke u bazuar edhe në komentet e Komisionerit Europian përgjegjës për Zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn, BE-ja është e shqetësuar për ndikimin në rritje të BE-së në rajonin e Ballkanit. Edhe pse ajo duhet të rriste angazhimin ndaj këtij rajoni, ajo duket se po bën krejtësisht të kundërtën/Monitor.al