Bunjaki ndërron fjalët për Januzajn

Trajneri i përfaqësueses së Kosovës Albert Bunjaki, ia ka hapur sërish derën futbollistit të Sunderlandit me origjinë nga Kosova, Adnan Januzaj, që të luajë me Kosovën. Një muaj më parë Bunjaki tha se Januzaj nuk ka ndjenja për Kosovën.

Bunjaki ndërron fjalët për Januzajn

Albert Bunjaki ka ndryshuar qëndrim rreth të ardhmës së Adnan Januzajt me Kosovën, duke thënë se 21-vjeçari është i mirëpritur tek përfaqësuesja kosovare, edhe pse më parë kishte mbyllur çështjen “Januzaj”.

Pikërisht një muaj më parë, me 30 gusht, kur trajneri i përfaqësueses së Kosovës shpalli listën e futbollistëve të Kosovës të ftuar për duelin e parë zyrtar të kualifikimeve për Botërorin “Rusi 2018” ndaj Finlandës, ai pati deklaruar se “Adnan Januzaj është më mirë të mos vijë në Kosovë”.

“Jemi mundu me kontaktu me të, mirëpo nuk kemi gjetë asnjë kontakt sepse nuk kemi një derë dhe kur s’ka derë është e kot. Për mu edhe për Adnanin edhe për të gjithë është më mirë mos me ardh, sepse ndoshta ai nuk ka ndjenja”, u shpreh Bunjaki një muaj më parë në një konferencë për shtyp në Prishtinë.

Mirëpo, ky qëndrim i Bunjakit duket se ka ndryshuar shpejtë. Përzgjedhësi i Kosovës sot deklaroi se e mirëpret në përfaqësuesen e Kosovës futbollistin e Sunderlandit edhe pse nuk ka arritur të kontaktoj me të ende.

“Nuk ja mbyllim derën Adnan Januzajt, ne kemi shprehur interesim. Nuk ka pasur më tentim për ta bindur Januzajn. Ai duhet të trokit tani në derën e Federatës”, citohet të ketë thënë Bunjaki nga Koha.net, njofton Insajderi.

Ai ka bërë të ditur se e kishin përcjellë Januzajn që kur ishte 16 vjeçar në një turne.

“Ne e kemi përcjellë atë qysh në moshën 16 vjeçare. Edhe zyrtarisht i kemi shprehur interesim. Me babën e tij nuk kam pasur kontakt, dera për të është gjithmonë e hapur, por asnjë hap më nuk e lëvizim për ta bindur atë”, ka thënë Bunjaki.

Januzaj është futbollist i Manchester United, por është huazuar për një stinor të plotë tek skuadra më pak e njohur angleze Sunderland. /Insajderi.com