Bunjaki nuk e fton sulmuesin më të mirë kosovar në Evropë

“Nuk mund ta ftojmë dhe të mos e aktivizojmë një futbollist”, ka thënë Bunjaki, kur është pyetur për Ajetin.

Bunjaki nuk e fton sulmuesin më të mirë kosovar në Evropë

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Albert Bunjaki konfirmoi ftesën për sulmuesin kosovar të Sheffield Wednesday, Atdhe Nuhiu, por mohoi t’i ketë bërë ftesë futbollistit të Saint Gallen, Albian Ajeti.

E dallimi mes Ajetit dhe Nuhiut është i madh, për kah forma që po kalojnë dy futbollistët momentalisht në skuadrat e tyre.

Nuhiu, sulmuesi të cilin Bunjaki ka deklaruar se është i ftuar – ende jo zyrtarisht – për ndeshjen ndaj Islandës më 24 mars, nuk ka shënuar gol prej më shumë se një viti.

Ndërkaq, futbollisti 20-vjeçar i St.Gallenit ka shënuar nëntë gola në këtë edicion në Superligën e Zvicrës. Ajeti është sulmuesi më produktiv kosovar që luan në ligat elitare elitare. Asnjë sulmues tjetër nuk ka shënuar më shumë, përveç Besart Berishës i cili ka shënuar 17 gola në kontintetin e Australisë.

Por, për Bunjakin më i nevojshëm për përfaqësuesen kosovare do të ishte afrimi i 27-vjeçarin e Sheffield Wednesday.

I pyetur në emisionin “Sports Show” të Klan Kosovës një javë më parë, nëse ka kontaktuar Albian Ajetin, Bunjaki ka thënë se momentalisht nuk është i gatshëm ta ftojë sulmuesin e talentuar.

“Nuk e kam kontaktuar në mënyrë direkte, mirëpo kam pasur kontakte. Është e rëndësishme që kur e ke një futbollist në një moshë 19 apo 20 vjeçe dhe bën performancë të mirë.. jemi kombëtare A dhe nganjëherë është mirë me prit pak, nëse është formë e vazhdueshme kjo apo e momentit”, ka thënë BunjakI, i cili ka lënë të kuptohet se nuk është i interesuar në afrimin e Ajetit në përfaqësuese.

“Nuk mund ta ftojmë dhe të mos e aktivizojmë një futbollist”, ka thënë Bunjaki, kur është pyetur për Ajetin.

Bunjaki ka thënë se ai planifikon që t’i japë më shumë hapësirë futbollistëve që momentalisht janë pjesë e përfaqësueses.

“Tanimë do të mbyllet kapitulli i vëzhgimit të lojtarëve, sepse tani ka ardhur koha që futbollistëve që gjenden momentalisht t’u jepet hapësira dhe të zhvillohen”, ka thënë përzgjedhësi i përfaqësueses kosovare.

Ajeti ende nuk ka treguar publikisht se cilën nga tre përfaqësueset që ka të drejtë të luajë: Zvicrën, Kosovën dhe Shqipërinë, do ta zgjedh.

Kosova, ka shënuar vetëm një gol në katër ndeshjet e para kualifikuese për Botërorin “Rusia 2016”, por edhe afrimi i trajnerit Bunjaki për ndeshjen me Islandën, Atdhe Nuhiu po kalon në një “thatësirë” të golave.

Afrimi i Bunjakit për sulmin që nuk ka shënuar gol prej një viti

Ish-anëtari i Rapid Wienës nuk ka shënuar gol prej 1 viti. Golin e fundit, Nuhiu e ka shënuar më 23 shkurt të vitit 2016 në ndeshjen Sheffield Wednesday – Queens Park Rangers në “Championship” – kategoria e dytë e futbollit anglez.

Sulmuesi nuk po kalon në një formë të mirë këtë edicion. Ai ka zhvilluar vetëm 15 ndeshje në ligë këtë edicion – 2016/17 – me skuadrën që udhëhiqet nga trajneri Carlos Carvalhal, dhe nuk ka shënuar asnjë gol.

E Albian Ajeti ka shënuar sot golin e tij të nëntë në Superligën e Zvicrës. Vëllai i mbrojtësit të kombëtares shqiptare shënoi për St. Gallenin në ndeshjen ndaj Thunit. /Insajderi.com