Vendi i përshtatshëm për t’u futur në mendjen e despotit është bunkeri nëntokësor atomik i ndërtuar nga lideri shqiptar Enver Hoxha, për të strehuar veten dhe tërë ekipin e tij.
Poshtë në nivelin e pestë, në shtresën nëntokësore me 106 dhoma në rrethinat e varfra të Tiranës, korridoret e betonit qëndrojnë ftohtë në errësirë, shkruan “The Times”, transmeton “Koha Ditore”.
“Hoxha ka qenë psikopat i obsesionuar pas plotfuqisë, i cili vrau e qëlloi qindra njerëz, duke përfshirë edhe disa gra të cilat ia kundërshtuan këshillat”, ka thënë Carlo Bollino, italiani i cili e ka kthyer labirintin e fshehur në muze.
Partizani i kohës së luftës i cili udhëhoqi Shqipërinë si një mbretëri të izoluar prej vitit 1944 deri në vdekjen e tij më 1985, mori idenë për këtë bunker qysh në vitin 1968 nga sunduesi i Koresë Veriore, Kim Il-sung.
Bollino, gazetari i cili shkoi në Shqipëri për të raportuar rreth rënies së komunizmit dhe qëndroi aty, po e shfrytëzon bunkerin si muze – të quajtur “Bunk’Art” – për të treguar se si Hoxha shkëlqeu në mizori.
“Ai shfrytëzoi fshatarët për të torturuar klasën e mesme, për të vrarë intelektualët, kolegët e tij të partisë dhe të gjithë ata që ia njihnin dobësitë e tij”, ka thënë ai. “Lëvizi njerëzit prej maleve në bregdet dhe të kundërtën, në këtë mënyrë gjella lokale në portin e Vlorës sot është mishi i qengjit në skarë”, ka shtuar ai.
Hoxha ndërpreu aleancat e tij komuniste me Rusinë, dhe më pas me Kinën para se të ndërtonte 170 mijë bunkerë në tërë shtetin si parakusht për t’u përgatitur për ndonjë sulm të papritur nga ndërkombëtarët.