Bushati: Arrestimi i Haradinajt do të ndikojë në dialogun Kosovë-Serbi

Bushati: Arrestimi i Haradinajt do të ndikojë në dialogun Kosovë-Serbi

Ministri i Jashtëm Shqipërisë, Ditmir Bushati, e ka cilësuar arrestimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, një akt të padrejtë dhe të dënueshëm.

Bushati ka thënë se arrestimi i Haradinajt ka prekur edhe ecurinë e proceseve të bisedimeve, kjo për faktin e veprimeve destabilizuese.

“Rasti Haradinaj ka prekur palcën e Kosovës. Ndaj, nuk do të çuditesha që kjo ngjarje të ndikonte edhe në ecurinë e procesit të bisedimeve. Kush mund të mendojë se mund të shkohet në Bruksel për të rënë dakord për çështje shpesh herë delikate, kur ndërmerren veprime të tilla qëllimshëm destabilizuese? Normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë kërkon mëndjemprehtësi, durim dhe vullnet të vazhduar. Normalizimi nuk do të ndodhë duke krijuar pengesa apo duke ngritur mure aty ku duhen forcuar urat e kontaktet.”

Kreu i diplomacisë shqiptare është i mendimit se e gjithë kjo situatë do të ketë impakt në dialogun Kosovë-Serbi, dhe se BE duhet të të sigurohet që këto marrëveshje të  zbatohen, shkruan OraNews.

“BE-ja duhet po ashtu të jetë më e angazhuar jo vetëm në arritjen e marrëveshjeve, por edhe për të siguruar zbatimin e tyre. Në të kundërt, marrëveshjet do të kthehen në letra pa vlerë. Vini re paqartësinë që ekziston mbi murin që u ngrit në Mitrovicë. Një proces që u nxit e ndërmjetësua nga BE si proces për ndërtimin e urave po rrezikon të kthehet në ndërtim muresh. Siç ndodh në të tilla raste, një mur që kërkon veç pak ditë për t’u ngritur, kërkon vite për t’u kthyer në urë përmes bisedimesh e ndërmjetësimesh diplomatike.”

Sipas tij, lëshimi i fletërresteve nga Serbia dhe keqpërdorimi i INTERPOL-it është një veprim i qëllimshëm që synon të destabilizojë Kosovën.

“Akuzat ndaj Ramushit e kanë zanafillën në 2004, kur asokohe kryeministër la detyrën për të shkuar në Hagë për t’u ballafaquar me drejtësinë ndërkombëtare. Dy dhomat e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi e çliruan nga çdo akuzë. Këto janë fakte të njohura botërisht. Për rrjedhojë, lëshimi i fletarresteve nga Serbia, keqpërdorimi i Interpolit dhe shpërfillja e vendimeve të drejtësisë ndërkombëtare, është një veprim i qëllimshëm që synon të destabilizojë Kosovën, të denigrojë imazhin e një personaliteti dhe përmes tij të njollosë luftën çlirimtare të Kosovës”, ka shtuar Bushati.