Cakaj anëtarëve të UNESCO’s në Paris: Mospranimi i Kosovës në organizatë ishte gabim historik

Cakaj anëtarëve të UNESCO’s në Paris: Mospranimi i Kosovës në organizatë ishte gabim historik

Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-së ka disa ditë që është duke zhvilluar punimet e saj në Paris. Nga Republika e Kosovës nuk është duke marrë pjesë askush. Në ditën parë të kësaj asambleje ka folur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka kërkuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë, ndërkohë kishte shfrytëzuar terrenin për propagandë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Megjithatë në mbrojtje të Kosovës, ka dalë sot ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, i cili ka thënë se do të angazhohet vazhdimisht që Kosova të pranohet në UNESCO.

Cakaj në Paris në Konferencën e Përgjithshme të Organizatës për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara, para të pranishmëve ka treguar edhe për fushatën dezinformuese të Serbisë ndaj Kosovës.

”Në diskutim nënvizuam domosdoshmërinë e patjetërsueshme të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në UNESCO! Denoncuam fushatën dezinformuese të Serbisë ndaj Kosovës dhe e bëmë të qartë edhe njëherë: Shqipëria do të vazhdojë punën e pakursyer për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO!”.

Ai në fjalën e tij tha se mos anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë, ishte gabim historik.

“Fatkeqësisht është ende një shtet në Europë që nuk është ende pjesë e kësaj organizate dhe ai shtet është Republika e Kosovës. Refuzimi i anëtarësimit të Kosovës ishte një gabim historik”, ka deklaruar Cakaj.

Ministri shqiptar, ka thënë se këto takime do të ishin më të frytshme nëse do të merrte pjesë Kosova.

“Takimet tona do të ishin më të pasuruara dhe më të mira sikur edhe Kosova të ishte pjesë e UNESCO”.

“Edhe njëherë iu bëjmë thirrje të gjitha vendeve anëtare të UNESCO-s që të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”, ka shtuar Cakaj.