Caktohet masa e paraburgimit ndaj tre personave që dyshohen për katër vepra penale

Caktohet masa e paraburgimit ndaj tre personave që dyshohen për katër vepra penale

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit tre të pandehurve me inicialet B.B., B.S. dhe XH.K., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale ‘Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’, ‘Falsifikimi i dokumenteve’, ‘Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’ dhe ‘Kontrabandimi me migrant’, përcjell Insajderi.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për medie, tre të pandehurve ua ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç, përkatësisht deri më datën 24.04.2021.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat qëtregojnë rrezikun se po të gjenden të pandehurit në liri mund të arratisen nga vendi apo fshihen me qëllim të shmangies së përgjegjësisë penale”, thuhet në njoftim.

“Po ashtu po të gjendën në liri, të njëjtit mund të ndikojnë në dëshmitarë dhe të dëmtuar e në ketë mënyrë mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, gjithashtu nëse të njëjtit gjendën në liri, ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale të njëjta apo të ngjashme”, thuhet tutje në njoftimin e gjykatës.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./Insajderi.com