Caktohet seanca për Ukë Rugovën pas një viti pauzë

Caktohet seanca për Ukë Rugovën pas një viti pauzë

Kur kanë kaluar më shumë se një vit qëkur është mbajtur seanca e fundit ndaj Ukë Rugovës, Gjykata Themelore e Prishtinës më në fund ka caktuar seancën e këtij gjykimi.

Lajmin e konfirmoi zëdhënësja Mirlinda Gashi.

“Seanca është caktuar të mbahet më datë 29 janar nga ora 13:15”, tha Gashi.

Seanca e fundit për këtë rast ishte mbajtur në muajin nëntor të vitit 2017 nën udhëheqjen e gjyqtarëve të EULEX-it. Që nga ajo kohë, EULEX ka përfunduar mandatin në Kosovë, lënda është transferuar te gjyqtarët vendorë ndërsa nuk është caktuar të mbahet ende ndonjë seancë.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale, Ukë Rugova ishte pjesë e një grupi qëllimi i të cilit ishte përfitimi material, duke furnizuar individë me viza Schengen të BE-së nga Ambasada italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes korrupsionit.

Insajderi kishte raportuar qysh në fillim të hetimeve një sërë hulumtimesh në të cilën tregohej për përfshirjen e Rugovës, në veprimtarit e jashtëligjshme.

Sipas aktakuzës plot 556 viza Schengen ishin marrë nga Ambasada e Italisë në Prishtinë në lidhje me aktivitetet e grupit.

Së bashku më Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe 20 persona të tjerë, ndër ta edhe ish-ministri Astrit Haraqija.

Të akuzuarit e këtij rasti janë deklaruar të pafajshëm duke mohuar pretendimet e Prokurorisë.