Çdo çift duhet ta shohë këtë film për dashurinë dhe divorcin!

Çdo çift duhet ta shohë këtë film për dashurinë dhe divorcin!

“Marriage Story” një film me regji dhe skenar nga Noah Baumbach, e bazoi historinë në divorcin e tij nga aktorja Jennifer Jason Leigh

Nëse nuk e keni parë, merrni të dashurin/ën, burrin/gruan a partnerin dhe kushtojini vëmendje. Le të shërbejë “Marriage Story” si një fabul nga e cila duhet nxjerrë mësim.

Gjithçka nis me Charlie (Adam Driver) që rrëfen gjithë gjërat që pëlqen te Nicole (Scarlett Johansson. Ajo është “trime,” “di të kërcejë shumë mirë “ dhe “di kur ta nxisë dhe kur ta lërë rehat.”

Pas tij, Nicole tregon ç’i pëlqen te Charlie. Ai “di të vishet bukur dhe s’është kurrë në siklet, që është e rrallë te burrat.” Ai ‘qan kur sheh filma në kinema’ dhe ‘i pëlqen të jetë baba.’

Një sekondë më vonë zbulojmë se listat janë shkruar – por s’lexohen kurrë – si detyrë e dhënë nga ai që do të ndërmjetësojë divorcin e tyre.

Ku gaboi një çift që sheh më të mirën te njëri-tjetri, që ka një fëmijë, karriera të arrira, një jetë të mirë? Si mund të divorcohesh, kur gjërat janë kaq normale?

Pikërisht prandaj duhet parë nga çdo njeri i dashuruar.

Së pari, “Marriage Story” e bën mëse të qartë se ne e dimë çfarë nuk shkon dhe çfarë do të kthehet në një problem në të ardhmen në fillim të një lidhjeje. Por kjo s’na ndalon kurrë të biem në dashuri, në të kundërt ç’kuptim do të kishte jeta.

Nicole nuk e dinte ç’donte të bënte, prandaj ndoqi rrugën e Charlie-t dhe në fund, e akuzoi se nuk e lejoi të kishte një zë në atë martesë. Charlie nga ana tjetër, nuk donte të martohej aq herët, por e bëri me vetëdije të plotë. Në fund, akuzoi Nicole se e shtyu ajo.

Edhe pse marrëdhënia në përgjithësi duket mirë, janë gjërat e vogla ato që e kalbin. Së dyti, “Marriage Story” është një dritë shprese.

Disa e quajnë një film për divorcin, të tjerë e quajnë një film për dashurinë. E dyta është më e saktë. Edhe pse Charlie dhe Nicole zihen dhe përleshen, qajnë dhe i urojnë vdekjen njëri-tjetrit, mbajnë hatër dhe hedhin kunja, dashuria mes tyre s’ka humbur. Shpresë për rikthim nuk ka, por porsi dashuria që është tjetërsoj, ashtu është edhe shpresa e shikuesit; shpresë që ndjenjat nuk shuhen, thjesht shndërrohen.

Së treti, dinamika familjare në film është tejet e rëndësishme. Gjithë procesi ligjor i divorcit rrotullohet rreth djalit të Charlie dhe Nicole, që quhet Henry. Asnjëri s’do para apo prona, duan thjesht kohë me djalin. Dhe edhe pse bien dakord për një ndarje të barabartë të kujdestarisë, shpeshherë nuk dinë ç’të bëjnë me atë kohë të fituar. Është një botë e re, një rutinë e re. për më tepër që ndjenjat e një 8-vjeçari mesatar vështirësojnë gjithçka.

Sidoqoftë, jo për hir të tij, por sepse e tillë është natyra e një familjeje, ata nuk shkëputen kurrë tërësisht. Janë thjesht një tjetër lloj familjeje, që ushqen shpresën, për të cilën folëm më sipër.

Është ende e paqartë në Nicole dhe Charlie duhet të shërbejnë si shembuj apo si antishembuj për ata që do të ndodhen një ditë në vendin e tyre. Deri atëherë, nëse ndodh, kijini në mendje.