“Çele guri gojën” – Heshtja 9 ditore e “patriotit” Agim Bahtiri

“Çele guri gojën” – Heshtja 9 ditore e “patriotit” Agim Bahtiri

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri para nëntë (9), ditëve insistonte se do të ‘luftonte’ me çdo kusht për bashkimin e Mitrovicës.

U zotua se edhe pse do të ketë kundërshtime asgjë nuk do ta ndalojë kauzën e tij. Por, janë bërë tash e nëntë ditë që i pari i Mitrovicës nuk e ka ‘çelë’ gojën për të folur për idenë e tij për bashkimin e Mitrovicës, shkruan Insajderi.

Shkrimi i tij i fundit në rrjetin social Facebook që është publikuar është ai i datës 4 dhjetor.

Postimi i plotë nga Agim Bahtiri, i katër dhjetorit:

Bashkimi i Mitrovicës do të ndodh pavarësisht kundërshtimeve, nuk ka rrugë tjetër

Unë kam kërkuar bashkimin e qytetit të Mitrovicës në një komunë të vetme, ashtu siç ka qenë gjithmonë, kërkesë e cila është mbështetur edhe nga të gjitha partitë politike në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës. Ndërsa, tash Qeveria duhet të bëjë veprime konkrete për ndryshimin e ligjit përkatës, që do ta bënte Mitrovicën me një komunë të vetme.

Qarqe të caktuara politike po e kundërshtojnë këtë nismë, por që nuk po i kundërshtojnë veprimet për ndarjen e Kosovës të kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri. Pra, si është e mundur që unë nuk kam drejt të punoj për bashkimin e qytetit, i cili gjithmonë ka qenë një dhe i vetëm, e dikush tjetër prej kolegëve të mi serb paska drejt të kërkoj ndarjen e Kosovës?

Unë e di saktë çka dua dhe jam thellësisht i bindur se bashkimi do të ndodh, gjë që do ta dëshmoj e ardhmja e afërt. Mirëpo, me vjen keq që institucionet qendrore nuk e kanë këtë informacion, e që do të duhej ta kishin.

I bëjë thirrje Qeverisë së Kosovës që të veprojnë sa më shpejt dhe ta dërgoj në Kuvend propozimin për ndryshimin e ligjit që do të bashkonte Mitrovicën në një komunë, sepse nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit të qytetit.

Ata që thirren në Planin e Ahtisarit duhet ta dijnë se ai është projekt i implementuar dhe tejkaluar, që e ka sjellë pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, Kosova nuk mund të mbetet peng i asnjë plani dhe asnjë njeriut, po duhet të zhvillohet konform asaj që e bën funksionale shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

AB