Çerkezi thotë se në Kuvend ka më shumë tifozë të partive politike sesa përfaqësues të popullit

Çerkezi thotë se në Kuvend ka më shumë tifozë të partive politike sesa përfaqësues të popullit

Kryetari i Lëvizjes për Drejtësi, Sylejman Çerkezi, ka reaguar lidhur me dështimin e seancave të Kuvendit.

Nëpërmjet një postimi në faqen e partisë Lëvizja për Drejtësi, Çerkezi ka shkruar se në Kuvendin e Kosovës ka më shumë tifozë të partive politike sesa përfaqësues të popullit.

“Tani edhe qeveria luan me Kuvendin e Kosovës. Kjo (s)është risi në politikbërjen e Kosovës. Jo se qeveria nuk ka diktuar Kuvendin edhe pse de jure do të duhej të ishte ligjvënësi me “kokë të ftohtë”, pasqyra e të sotmes dhe struktura e së ardhmes së vendit.

Në këtë mexhlis mungojnë deputet me kredibilitet të natyrshëm njerëzor dhe intelektual, aty ka më tepër tifozë të partive politike sesa përfaqësues të popullit. Jo rrallëherë eshtë dëshmuar që deputetë ose individë të caktuar kanë dëshmuar se janë vazalë që shiten për para, për poste, për inate etj”, ka shkruar Çerkezi.

Ai më tej ka përmendur tri ‘armët’ të cilat sipas tij i kanë, siç i ka quajtur, “bossët e politikës”.

“Në anën tjetër, bossët e politikës kanë tri armë në këtë skenë të bërë zhele në sytë e qytetarëve të lodhur dhe të partnerëve tanë potencial.
1, shantazhet nëpërmjet drejtësisë së kapur dhe ngulfatur prej tyre.
2, blerje me para ,tendera e të ngjashme.
3, blereje ose shitje me poste dhe pozita.

Këto tre mekanizma të ndryshkur i lënë të dyja palët të lumtura, që të përdorin Kuvendin si trmapolinë në arritje të qëillimeve individuale, por ajo më e dhimshmja bëhet “në emër të popullit”, në emër të Kosovës, në emër të dëshmorëve, në emër të margjinalizimeve, devotshmërive e shumë emrave të tjerë. Andaj duke u bazuar në ç’ka thash më lart, ka ardhur koha shumë moti që qytetarët të mendojnë për veten e tyre e mos të lejojnë që “vezët e dreqit” të çelin ende”, përfundon postimi i Çerkezit.