Çfarë pret kryesuesi Mikullovci nga seanca e së enjtes

Çfarë pret kryesuesi Mikullovci nga seanca e së enjtes

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se pret nga përfaqësuesit e partive politike të japin propozime për ta zgjidhur çështjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Mikullovci ka caktuar një takim konsultativ midis partive politike për të mërkurën. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është një hap drejt zhbllokimit të situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, gjatë një seance kaotike të mbajtur më 3 gusht.

“[Koalicioni ] PAN dhe përfaqësuesi i tyre Enver Hoxhaj kanë kërkuar këtë takim dhe ne do të shohim se pse është kërkuar ky takim. Janë kërkuar 6 ditë për konsultime dhe nesër [të mërkurën] unë pres të me tregojnë se pse i kanë kërkuar këto ditë, kurse të enjten është vazhdimi i mbledhjes”, tha Mikullovci.

Analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi tha për Radion Evropa e Lirë se takimi i së mërkurës është i parëndësishëm dhe nga ai nuk mund të ketë asgjë konkrete, veç deklaratave të zakonshme politike.

“Është një takim formal, prej të cilit nuk mund të shpresojmë se mund të dalë një zgjidhje. Edhe nga e kaluara e dimë se kur partitë politike kanë stagnuar në këso procese, është dashur ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar”.

“Edhe tani po duket se pa një ndërhyrje të tillë, ne nuk do të mund të arrijmë t’i tejkalojmë inatet personale. Pra, kemi të bëjmë më një klasë politike, e cila është mjaft primitive në mënyrën se si e sheh dhe e bën politikën; interesat personale po mbizotërojnë ndaj atyre shtetërore”, tha Krasniqi.

Mirëpo, Mikullovci nuk pajtohet me mendimin se takimi i se mërkurës është formal apo sipërfaqësor.

“Në asnjë mënyre nuk është sipërfaqësor, në asnjë mënyrë. Pra, është i rëndësishëm dhe mund të ketë situata e propozime të reja dhe unë të nesërmen e qes në Kuvend në rast se ka propozim”, tha Mikullovci, duke shtuar se seanca e së enjtes mund të ndodh që të shtyhet, nëse PAN nuk është në seancë.