Çfarë thoshte më parë presidenti Thaçi për Gjykatën Speciale

Çfarë thoshte më parë presidenti Thaçi për Gjykatën Speciale

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në vitin 2015 ishte tepër entuziast që të votohet Gjykata Speciale në Kuvend, e këtë edhe e arriti.

Thaçi gjatë një fjalim në seancën e 26 qershorit 2015, provoi t’i bind deputetët ta votojnë këtë Gjykatë duke u thënë se është për të mirën e Kosovës, shkruan lajmi.net.

“Sot institucionet e Kosovës, shteti i Kosovës është para dy mundësive: një që ta themelojë vetë këtë gjykatë bashkërisht me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo çështje të përmbyllet njëherë e përgjithmonë në një periudhë të caktuar kohore 3 apo 5 vjet, apo në rast dështimi kjo çështje të shkojë në Këshillin e Sigurimit dhe kjo çështje të zgjasë 15 apo 20 vjet, e ngrehur prej oponentëve të pavarësisë së Kosovës”, pati thënë presidenti i Kosovës para deputetëve.

Ndërsa, mbrëmë po i njëjti provoi shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale pa dhënë asnjë arsyetim.

Se çfarë ndodhi tani me presidentin që Gjykata Speciale është gabim?

Se diçka nuk po shkonte siç kishte paraparë Thaçi u vërejt edhe në disa deklarata kur drejtoi një mori akuzash kundrejt ndërkombëtarëve.

Ai tha, se specialja është formuar pas premtimit të ndërkombëtarëve se Kosova do të siguronte një varg përfitimesh, e një gjë e tillë, sipas tij, nuk ndodhi e nuk po vazhdon të ndodhë.

“Nga bashkësia ndërkombëtare na u premtua se do të mundë të aplikonim për anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës, që do të ndodhte liberalizimi i vizave shpejt, që do të kemi mbështetje masive për anëtarësim në UNESCO, se do të themelonim Forcat e Armatosura të Kosovës shpejt dhe se do të kemi njohje të reja. Kosova mbajti fjalën – themeloi gjykatën. Bashkësia ndërkombëtare asnjë nga këto premtime nuk i realizoi. Përkundrazi, Kosovës iu vështirësua rrugëtimi euroatlantik”, kishte thënë saktësisht Thaçi në një tryezë të organizuar nga shoqëria civile.

Presidenti Thaçi mbrëmë nuk u deklarua se pse ndodhi një gjë e tillë e papritur, ligji për shfuqizimin e Speciales.

Ne atë ligj ishin vetëm 2 nene, njëri që tregon qëllimin e ligjit dhe tjetri kohën kur hynë në fuqi, pasi të ketë marrë miratimin e deputetëve dhe të jetë publikuar në Gazetën Zyrtare.

“Me këtë ligj shfuqizohet Ligji nr. 05/1-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorisë së Specializuara i miratuar në 3 gusht 2015, dhe i Shpallur në Gazetën Zyrtare më 31 Gusht, 2015”, thuhej në nenin e parë.

Ndërsa në nenin e dytë thuhej: “Ky ligj hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”.

Mbrëmë dështoi thirrja e seancës së jashtëzakonshme pasi zyrtarët e LDK-së dhe Vetëvendosjes nuk shkuan në Kryesinë e Kuvendit, duke e pamundësuar kështu korumin.

Kujtomë, se kundër kësaj iniciative pati reagime të ashpra nga ndërkombëtarët. /Lajmi.net