Challandes: Kam shpresa të mëdha që kjo do të ndodhë të premten

Challandes: Kam shpresa të mëdha që kjo do të ndodhë të premten

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, ka folur pas ndeshjes së fundit të kombëtares kundër Anglisë, ku ka treguar se çka shpreson nga shorti i fazës play-off për kualifikim në “Euro 2020”.

Challandes ka treguar se çfarë shpreson se do të ndodhë këtë të premte në Nyon të Zvicrës, ku do të hidhet shorti për fazën e play-offit, shkruan Insporti

Pasi nuk arriti kualifikimin e drejtpërdrejt përmes fazës së grupeve të eliminatoreve, Kosova do të ketë mundësi që në Evropian të kualifikohet përmes fazës së play-offit, ku shkon si fituese e grupit 3 të Ligës D, në Ligën e Kombeve.

“Në fillim kur kam ardhur nuk ma ka marrë mendja se do të kemi mbështetje kaq të madhe”, tha Challandes në një intervistë për ‘Info Magazine’ në Klan Kosova.

Ai tha se shpreson që finalja e fazës play-off do të zhvillohet në Prishtinë.

“Do të jem në Nyon të premten për short dhe shpresoj, shpresoj shumë që do ta luajmë finalen këtu në Prishtinë”, theksoi Challandes.

Tashmë dihet se gjysmëfinalen Kosova do ta zhvillojë në udhëtim ndaj Maqedonisë së Veriut, mirëpo shorti i të premtes do të përcaktojë se cili prej finalistëve do të jetë vendas.

Kosova në finale do të përballej me fituesin e gjysmëfinales tjetër të play-offit, Gjeorgji – Bjellorusi.

Shorti do të përcaktojë se a do të luante Kosova në shtëpi apo jo finalen, gjithmonë në rast se fillimisht e mposht Maqedoninë e Veriut.