Cilat parti (nuk) do të bëjnë koalicione parazgjedhore?

Afati për të paraqitur koalicionet para KQZ-së për t’i zyrtarizuar ato është deri në orën 18:00 të ditës së sotme (12 janar), megjithatë, kur ka mbetur vetëm edhe pak kohë, asnjë nga partitë e mëdha nuk ka prezantuar ndonjë bashkëpunim politik që do përkthehej në koalicion.

Cilat parti (nuk) do të bëjnë koalicione parazgjedhore?

Përveç Aleancës Kosova e Re, e cila bëri të ditur se do të deklarohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për koalicionin parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës, partitë tjera kanë zgjedhur të shkojnë të vetme në garën parlamentare të 14 shkurtit.

Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe në zgjedhjet e kaluara nacionale, ka bërë të ditur për Gazetën Online Insajderi prerazi pranuan se nuk do të bashkohen me asnjë parti tjetër paraprakisht.

Në LVV thonë se edhe po të bashkohej Vjosa Osmani në listën e kësaj partie, afati i sotëm nuk paraqet problem, meqë është vendosur për të gjitha partitë, por jo edhe për iniciativat politike.

Nga zyra e këtij subjekti shtojnë se ende nuk kanë ardhur në një vendim përfundimtar sa i përket bashkëpunimit me Osmanin për këto zgjedhje.

Veç Vetëvendosjes, edhe Partia Demokratike e Kosovës, njëjtë si në zgjedhjet e kaluara, do të garojë vetëm nën siglën dhe logon e saj.

“Kjo nënkupton se ne nuk do të kemi marrëveshje me partitë tjera për ndonjë koalicion parazgjedhor. Mirëpo, PDK do të vazhdojë bashkëpunimin me partitë e vogla që tradicionalisht kemi bashkëpunuar, e që do të garojnë në listën e PDK-së”, thotë për Insajderi-n, zëdhënësi i kësaj partie, Avni Bytyçi.

Një koalicion me PDK-në e ka dashur ish-anëtari i kësaj partie Fatmir Limaj, që në vitin 2014 ishte larguar për të formuar Nismën Socialdemokrate.

Madje, Limaj është i bindur që një koalicion NISMA-PDK do i fitonte edhe zgjedhjet, poqëse arrihet me sinqeritet dhe objektiva të qarta.

Limaj në një televizion lokal në Malishevë, ka thënë se, “Nisma Socialdemokrate dhe unë si drejtues i saj jemi të gatshëm për partneritete”.

“Konsideroj që në këtë situatë në të cilën jemi, ajo që i ndihmon më së shumti Kosovës është jetësimi i një projekti të madh për mbrojtjen e vlerave kombëtare”.

Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ende nuk ka vendosur për koalicion parazgjedhor me ndonjë parti politike për të garuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Kështu ka bërë të ditur për redaksinë, zëdhënësi i kësaj partie, Kushtrim Xhemaili, i cili thotë se deri më tani nuk ka diçka konkrete.

“Në momenti që kemi diçka ju informojmë”, tha shkurt Xhemajli.

Ndryshe prej këtyre partive, sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, ka deklaruar se marrëveshja është kryer dhe se tashmë po diskutohet nëse do të shkojnë si dy parti në koalicion apo nëse do të shkrihen në listën e LDK-së.

“Po ne me LDK-në do të shkojmë së bashku në zgjedhje. Koalicioni ende nuk është zyrtarizuar por e sigurt është që po me LDK-në do të shkojmë”.

Ndryshe, sot (12 janar), deri në orën 18:00, është afati i fundit që partitë politike mund të deklarojnë koalicionet e tyre parazgjedhore pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). /Insajderi.com