Cili është qëndrimi i PDK-së për korrigjimin e kufijve? Flet Enver Hoxhaj

Cili është qëndrimi i PDK-së për korrigjimin e kufijve? Flet Enver Hoxhaj

Enver Hoxhaj, nënkryetari i PDK-së ka thënë se Kosova duhet të jetë unike para fazës finale të dialogut.

Në një intervistë për Gazetën Insajderi, i pyetur për qëndrimin e PDK-së për korrigjimin e kufijve, ai ka thënë se ata mbështesin integritetin territorial të Kosovës.

Ai ka kërkuar edhe nga partitë e tjera që t’i harmonizojnë qëndrimet, dhe në Bruksel të shkojnë si të bashkuar.

“Qëndrimi ynë ka qenë i qartë, se ne jemi për ta ruajtur integritetin e Kosovës, ky është qëndrim edhe i vetë presidentit. Përderisa partitë në opozitë, e kanë gjet një lloj dramaturgjie që e kemi përjetuar gjatë verës si mundësi me i ik përgjegjësi. Propozim rezoluta që është draftuar nga Veseli para dy javësh i përfshin të gjitha shqetësimet. Presidenti më shumë po kërkon dinamikë”, deklaroi Hoxhaj.

Sipas tij, debatet për korrigjimin e kufijve si pjesë e marrëveshjes finale me Serbinë, janë ende të parakohshme.

“Fillimisht duhet ta kemi një platformë dhe të jemi unik në dialog, që Kosova dhe Serbia ta njohin njëra-tjetrën. Njohja është tema kryesore por ka edhe shumë tema tjera. Duhet të demarkojmë kufirin me Serbinë, por debati që është se Kosova a duhet a po s’duhet të ndodhë në dialog tash është e parakohshme”, deklaroi zv/kryeministri i Kosovës. /Insajderi.com