Çitaku reagon ndaj Ambasadorit Kosnett: Presidentja Jahjaga nuk ishte produkt i asnjë ‘zarfi’

Çitaku reagon ndaj Ambasadorit Kosnett: Presidentja Jahjaga nuk ishte produkt i asnjë ‘zarfi’

Ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj ambasadorit amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, lidhur me deklaratat e tij ku tha se “ka shkuar koha e presidentëve që dalin nga zarfi”, transmeton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Çitaku thotë se atëkohë zgjedhja e Atifete Jahjagës – presidente, nuk ishte produkt i asnjë zarfi.

”Mora shkas nga një deklaratë e mikut tim, Ambasadorit Philipp Kosnett, për të dhënë disa sqarime sa i përket zgjedhjes së Znj.Atifete Jahjaga si Presidente e Republikës së Kosovës. Sa për qartësim, zgjedhja e Presidentes Jahjaga nuk ka qenë produkt i asnjë “zarfi”. “Zarfi” nuk ka ekzistuar fare. Askush nuk ka lobuar apo ushtruar asnjëlloj presioni tek udhëheqësit politik Kosovar për të zgjedhur Znj.Jahjaga”, ka shkruar ajo.

“Gjatë përvojës sime prej më shumë se dy dekadash në politikën Kosovare, e kam provuar në lëkurë dhe e njoh fare mirë prezencën e presionit ndërkombëtar (Gjykata Speciale, Marrëveshja për Asociacionin, Demarkacioni me Malin e Zi etj etj). Zgjedhja e Presidentes Jahjaga nuk ka qenë një nga këto raste”, është shprehur tutje Çitaku.

Sipas saj, vetë Jahjaga “nuk ka shkuar ta lus as Ambasadën Amerikane, as ndonjë nga partitë politike, që ta zgjedhin apo ta votojnë atë Presidente të Republikës së Kosovës”.

“Do të ishte mirë që Znj.Jahjaga t’i ipej mirënjohja e merituar për shërbimin e shkëlqyer si Presidentja e parë grua, jo vetëm në Kosovë, por në tërë Evropën Jug-Lindore”, ka përfunduar ajo. /Insajderi.com