CNN paraqet padi kundër Donald Trumpit

CNN ka ushtruar padi kundër presidentit amerikan Donald Trump dhe disa ndihmësve të tij, duke kërkuar kthimin e akreditimit në Shtëpi të Bardhë për reporterin e kësaj shtëpie mediatike Jim Acosta.

CNN paraqet padi kundër Donald Trumpit

Padia është përgjigje ndaj veprimit të Shtëpisë së Bardhë e cila ia ka suspenduar akreditimin Acostas për konferencë për gazetarë. Në padi pretendohet se me ndalesë është shkelur amendamenti i parë dhe i pestë të Kushtetutës amerikane, e cila garanton lirin e fjalës.

CNN e paditë Trumpin, shefin e kabinetit të tij John Kelly, zëdhënësen e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders dhe zëvendësin e saj Bill Shine, shefin e shërbimit sekret Joseph Clancy si dhe zyrtarin i cili ia ka marrë akreditimin Acostas të mërkurën e kaluar, dhe identiteti i të cilit ende nuk dihet.

Zëdhënësja Sanders ka thënë se Acostas i është marrë akreditimi për shkak të sjelljes së pahijshme gjatë konferencës për gazetarë të presidentit Trump, ndërsa CNN dhe shumë gazetarë tjerë i hedhin poshtë këto pretendime, duke konsideruar se akreditimi duhet kthyer.

Siç ka kumtuar CNN padia është paraqitur në gjykatën e Uashingtonit. CNN kërkon urdhëresën preliminare të gjykatës që Acosta, sa më shpejtë që është e mundur, të kthehet në Shtëpi të Bardhë për ta kryer punën e tij, por kërkojnë edhe aktgjykimin i cili do ta pengonte Shtëpinë e Bardhë që në të ardhmen të mund t’ia marrë akreditimin gazetarit.

CNN thekson se kjo që i ka ndodhur gazetarit të tyre mund të ndodhë cilitdo, ndërsa Asociacioni i reporterëve nga Shtëpia e Bardhë e ka përkrahur këtë veprim./Insajderi.com.