Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka deklaruar se nëse do të bisedohej pa mentorë, Prishtina do të pranonte marrëveshjen e ndarjes së Kosovës.
I pyetur nëse janë të vërteta deklaratat e presidentit të Partisë Popullore, Vuk Jeremiq, se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ofruar jugun e Serbisë për veriun e Kosovës, Daçiq ka thënë se “nuk ka pasur kurrfarë bisedash për zgjidhje afatgjate për Kosovën”.
“Ka pasur biseda të ndryshme, në metropole të ndryshme, shkëmbime mendimesh, por nuk ka pasur asgjë zyrtare. Nuk e di se ku ka mundur të ofrojë dikush diçka të tillë”, tha Daçiq.
Duke folur për aktivitetet që priten për çështjen e Kosovës, Daçiq tha se javën e ardhshme në Beograd do të qëndrojnë shefat e diplomacive të Greqisë dhe të Francës, dhe në ato takime pritet të zhvillohen bisedime të rëndësishme.