Daçiq: Ky është modeli për Kosovën që do ta pranonte edhe Putini

Daçiq: Ky është modeli për Kosovën që do ta pranonte edhe Putini

Ivica Daçiq, zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, ministër i Jashtëm dhe lider i Partisë Socialiste Serbe, ka thënë për portalin serb “Alo” se aspak nuk çuditet për sulme ndaj tij për shkak të propozimit të ndarjes së Kosovës në pjesën shqiptare dhe serbe, si dhe atë që Vladimir Putini dhe Rusia madje do të përkrahin këtë ide nëse ajo bëhet qëndrim zyrtar i Serbisë.

“Prejse kam përmendur propozimin për ndarje të Kosovës, për të cilin mendoj se është zgjidhja më e mirë për Serbinë, i jam ekspozuar sulmeve konstante. Më quajnë tradhtar, por nuk kam dëgjuar asnjërin që ka propozuar çfarëdo zgjidhje tjetër”, thotë shefi i diplomacisë serbe, transmeton Gazetametro.net.

Sipas fjalëve të tij, të gjithë dinë të kritikojnë, derisa përveç propozimit të tij, asnjë parti apo cilido subjekt politik apo shoqëror nuk ka dalë me ndonjë ide konkrete.

“Prejse kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka dalë me propozim konkret mbi thirrjen e të gjithëve në dialog të brendshëm për “statusin e Kosovës dhe Metohisë”, vetëm dëgjoj: Ua Vuçiq! dhe Ua Daçiq! Askush nuk thotë asgjë konkrete”, thekson Daçiq.

Ministri i Jashtëm serb thotë se nëse ky propozim do të bëhej qëndrimi zyrtar i Serbisë, “do të kishin përkrahje edhe nga fuqitë botërore”.

“Sa i përket përkrahjes së fuqive të mëdha mbi propozimin tim, është e qartë se të gjithë do ta kishin të vështirë, por do t’ju përkujtojë fjalët e Putinit “se për Moskën është e pranueshme krejt ajo çfarë është edhe për Serbinë”, kështu që, kur themi se ky është qëndrim zyrtar i Serbisë, Rusia do të jetë me ne, por edhe shumë shtete tjera”, thotë Daçiq.

Në pyetjen se a është çështja e Kosovës kyçe për integrime evropiane të Serbisë, ai është përgjigjur duke thënë se vërtetë është koha të zgjidhet statusi i Kosovës.

“Vërtet mendoj se është koha që të zgjidhet statusi i Kosovës, keni dëgjuar edhe prej kryetarit Vuçiq, kjo është çështje kyçe për ardhmëri të euro-integrimeve të Serbisë. Unë këtë e kam nisur si njërën nga idetë dhe nuk flas për ndarje, por për caktim të asaj se çfarë është serbe dhe shqiptare”, ka thënë Daçiq.