Daçiq shqetësohet për “respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë”

Daçiq shqetësohet për “respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë”

Zëvendës kryeministri dhe ministri i jashtëm, Ivica Daçiq, në mbledhjen e 127-të të komiteteve të ministrave të Këshillit Evropian në Nikozi, ka thënë se Serbia me keqardhje vërteton që edhe pas kaq viteve të implementimit të projekteve të Këshillit Evropian, nuk ka pasur ndonjë progres madhor në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë.

“Kjo vërehet veçanërisht në jetën e përditshme të njerëzve të cilët nuk janë pjesë e komunitetit etnik shqiptar – shumica serbë”, ka thënë Daçiq.

Daçiq ka thënë se të drejtat ende po shkelen dhe nevojitet të ketë mbrojtje shtesë nga siguria fizike apo ligjore deri tek të drejtat që kanë të bëjnë me pronën, kulturën dhe respektimin e lirive fetare, duke përfshirë këtu edhe qasjen në trashëgiminë kulturore dhe fetare.

“Mbi 200 mijë persona të zhvendosur me forcë nuk mund ende të kthehen në shtëpitë e tyre”, ka thënë Daçiq në një konferencë për fuqizim të sigurisë demokratike në Evropë.

Daçiq u takua me ministrin e jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, në Nikozi ku ata diskutuan për situatën në regjion, duke shprehur shqetësim për deklaratat nga përfaqësuesit shqiptarë për krijimin e të ashtu quajturës Shqipëri e Madhe.

“Ata shkëmbyen pikëpamje për bashkëpunim bilateral dhe multilateral”, ka shkruar Ministria e Marrëdhënieve të Jashtme e Serbisë në një deklaratë.

Daçiq ka mbajtur një takim edhe me ministrin e jashtëm portugez, Santos Silva, me të cilin gjithashtu janë pajtuar për raporte bilaterale dhe mbështetje për përmirësim të bashkëpunimit. /Insajderi.com