Daçiq tregon kur do të kthehet personeli i ambasadës në Shkup

Daçiq tregon kur do të kthehet personeli i ambasadës në Shkup

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi sot se një pjesë e personelit të ambasadës së Serbisë në Maqedoni do të kthehet javën e ardhshme në Shkup, ndërsa ambasadorja Dushanka Divjak Tomiç do të kthehet kur të përfundojnë konsultimet në Beograd.

“Tashmë javën e ardhshme, pas takimit me presidentin Aleksandar Vuçiq, një pjesë e personelit tonë do të kthehet në Shkup, ndërsa ambasadorja do të kthehet më vonë, kur të përfundojnë të gjitha konsultimet në Beograd”, tha Daçiq për agjencinë Tanjug.

Ai përsëriti se “në mënyrë të qartë u zbulua se është forcuar veprimtaria ofensive kundërzbuluese ndaj Serbisë në tërësi dhe ambasadës” dhe shtoi se në këtë është i përfshirë edhe “faktori i jashtëm”.

“Ne do të marrim masa për të mbrojtur interesat tona dhe për të rivlerësuar kapacitetet tona për punë në rrethana të tilla. Ne pa dyshim duam marrëdhënie të mira me Maqedoninë, meqë jemi fqinjë, kemi interesa të përbashkëta, ne jemi dy popuj të afërt”, tha Daçiq.