Daka: Ideja qe 16 vjeçarët të votojnë, kauzë politike

Daka: Ideja qe 16 vjeçarët të votojnë, kauzë politike

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, vlerëson se ideja që të ulet mosha minimale e qytetarëve me të drejtë vote në 16 vjet, është më shumë një kauzë politike, njofton Insajderi.

Ajo në emisionin Desku të KTV-së ka thënë se KQZ-ja nuk janë marrë e as do të merren me këtë ide.

“Ndoshta është më tepër kauzë politike, se sa çështje që ne si KQZ duhet të merremi.

Normalisht, unë mendoj se 16-vjeçarët ende nuk janë të pjekur që të dinë se për këtë të votojnë dhe se shumë lehtë mund të manipulohen”, ka thënë ajo.

Sipas ligjit, të drejtë vote kanë të gjithë ata që kanë 18 vjet e më shumë.

Daka ka folur edhe për vështirësitë që do të kishte KQZ-ja për organizimi të zgjedhjeve nacionale në kohë pandemie.

“Nuk është njësoj si të organizohen zgjedhje në dy komuna relativisht të vogla dhe të organizohen zgjedhje nacionale në kushte të pandemisë. Natyrisht është më e kushtueshme dhe më vështirë e menaxhueshme për neve si KQZ, por edhe për qytetarët është vështirë të votohet në kushte të tilla”, ka thënë Daka./Insajderi.com