Daka: Jam ndjerë e ofenduar, po bëhet fushatë kundër KQZ-së

Daka: Jam ndjerë e ofenduar, po bëhet fushatë kundër KQZ-së

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, deklaroi të martën se po bëhet fushatë kundër KQZ-së pasi kjo e fundit mori vendim për verifikimin e votave nga mërgata për telefonatave, njofton Insajderi.

Madje, Daka tha se është ndjerë e ofenduar nga shakatë dhe ofendimet që janë bërë rreth kësaj teme në rrjete sociale, pasi thotë se disa prej tyre kanë qenë personale.

“Tashmë në rrjete sociale jemi bërë temë e hajgarave të mëdha, sharjeve, fyerjeve deri në fyerje personale që kanë qenë të drejtuara në radhë të parë ndaj meje si kryetare e KQZ-së.

Unë e kam ndje veten shumë të ofenduar dhe s’është Valdete Daka ajo e cila e ka marrë këtë vendim. Mos harroni që ne dje kemi votuar të gjithë unanimisht. Të gjithë anëtarët që kanë qenë prezent e kanë votuar pa asnjë reagim, pa fjalë që më kishin bërë me dije që kanë diçka kundër këtij vendimi. Këtë vendim e kam lexuar me zë dhe e kemi marrë në prani të gazetarëve”, tha ajo në Rubikon në Klan Kosova.

Tutje, ajo shtoi se ky vendim nuk e privon mërgatën të votojë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar se votuesit jashtë vendit do të telefonohen tri herë për verifikimin e aplikacioneve, në tri orare të ndryshme./Insajderi.com