Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se partitë politike po e përdorin këtë institucion për t’i shpalosur platformat politike.
Gjatë mbledhjes së këtij komisioni të premten pati sërish tensione mes anëtarëve të partive, teksa Daka u kërkoi të flasin me radhë.
“Shkresat që mi dërgojnë i kontrollojnë dhe unë e barti çdo përgjegjësi për të gjitha shkresat çka i nënshkruaj”, tha ajo.
Por, me këtë nuk është pajtuar anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, pasi tha se nuk kanë të drejtë t’i bartin kërkesat e partive në KQZ.
“Nuk kanë kaluar listat dhe kush ka propozuar që të bëhet një selektim, propozojmë që listat të mos miratohen dhe këtë vendim nuk e ka marrë KQZ-ja”, pohoi Kurteshi.
Ndërkohë, kryeshefi ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, tha se mbi 174 mijë persona kanë aplikuar përmes emaili-t për zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Operacioni i hapjes së emailave është përfunduar dhe tash jemi në fazën e procesimit të të dhënave që konsiderojmë të përfundojë sot. Mbi 174 mijë aplikues kanë aplikuar përmes e-mail deri më tani”, deklaroi Ahmetaj./Insajderi.com