Daka: Ndjehem e kërcënuar

Daka: Ndjehem e kërcënuar

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në një konferencë të mbajtur sot për media, ka thënë se po ndjehet e kërcënuar nga kandidatë të caktuar për deputetë, lidhur me vendimin që do të merret për ta për zgjedhjet e 14-shkurtit.

Daka thotë se vendimi për pamundësinë e marrjes pjesë në këto zgjedhje, e ka marrë Gjykata Kushtetuese ndërsa KQZ vetëm zbaton ligjet.

“Akuzat e partive politike, në adresë të KQZ-së dhe në adresë time personalisht, janë ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e institucionit, për ta pamundësuar zbatimin e Kushtetutës dhe Ligjeve në fuqi. Kërcënimet publike ndaj meje dhe shqetësimet që po i përjeton familja ime – janë të paprecedenta dhe të rrezikshme.  Të gjithë kandidatët që dje e kanë parë vetën në listën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës si persona që nuk plotësojnë kriterin për t’u certifikuar si kandidat për deputetë, do t’iu them vetëm dy fjalë, shkurt, shqip dhe qartë: Është ligji dhe aktgjykimi i Gjyaktës Kushtetuese që ua pamundëson kandidimin dhe jo unë. Unë nuk e kam shkruar Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe as nuk e kam votuar. Unë nuk e kam shkruar as nenin 29 të këtij ligji. Nuk e kam shkruar as germën Q të këtij neni, që pamundëson kandidimin e një personi i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”, ka thënë ajo.

“Çdo person që mendon se po i bëhet e padrejtë, do të mund të ankohet në institucionet si PZAP apo edhe në Supreme. Ne do t’i zbatojmë vendimet e tyre”.

“I ftoj të gjithë që të përmbahen nga kërcënimet dhe nga akuzat dhe të respektojnë vendimet, e të na lejojnë të bëjmë punën tonë bazuar në ligj e në kushtetutë”, ka thënë Daka. /Insajderi.com