Në dialogun me Serbinë

Dakordim për njohje, ose fare dakordim

Hoti ka mbajtur fjalim shpjegues para deputetëve të Kosovës. Ka ripërsëritur qëndrime që tashmë i ka të mirëditura. Se në dialog shkon për njohje. Se Kosova nuk rrezikohet nga marrëveshja e arritur në Uashington. Dhe se në Bruksel s’flet për Asociacionin.

Dakordim për njohje, ose fare dakordim

“Për të gjitha temat në Bruksel vlen parimi se asgjë nuk dakordohemi nëse nuk dakordohemi për marrëveshjen finale përfundimtare”.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, derisa ka folur në foltoren e Kuvendit të Kosovës, i fituar për të raportuar për marrëveshjen e arritur në Uashington – marrëveshje që Kosova e Serbia e nënshkruan veç e veç me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke e quajtur si “fitore të popullit të Kosovës”, Hoti tha se marrëveshja nuk është as e rrezikshme dhe as e dëmshme, paçka se s’ka iluzionin se është perfekte.

“Kjo marrëveshje është hap i madh drejtë normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Investimet e mëdha dhe sjellja e gazit në Kosovë do të jenë një infuzion për zhvillimin e ekonomisë të vendit tonë në vitet që vijnë. Tash unë e kam parasysh se kjo marrëveshje nuk është perfektë por nuk është e dëmshme dhe rrezikshme për Kosovën. Përkundrazi e ka fuqizuar subjektivitetin shtetëror të Kosovës dhe e kthen Kosovën”, tha Hoti në Kuvend.

Kryeministri ka ripërsëritur se dialogun me Serbinë – qoftë në Brusel a Uashington – po e bën me parime, ndaj s’ka rrezik se diçka e keqe mund t’i vije Kosovës nga bisedimet, tashmë intensive, me Serbinë.

“Integriteti territorial i Kosovës është i panegociushëm, e dyta organizimi kushtetues i Kosovës është i panegociushëm dhe sistemi unitar i Kosovës nuk mund të preket dhe diskutohet. Garantohet me Kushtetutë. Dhe e treta që marrëveshja do të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Mbi këto parime ne jemi duke zhvilluar procesin e dialogut dhe besojmë dhe është provuar në këto tre muaj se respektimi i këtyre parimeve në udhëheq drejtë në objektiva të qarta”.

Udhëheqësi i ekzekutivit të Kosovës ka folur edhe për diskutimin potencial të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të Kosovës. Ka pohuar se nuk do të ndodhë. Se ajo çështje është e mbyllur dhe se Kosova e ka hartën se si shkohet përpara kur në pyetje është Asociacioni.

“Lidhur me temën e asociacionit, qëndrimi jonë është se kjo temë nuk hapet në dialog. Kjo temë nuk hapet pasi ka një marrëveshje të arritur në vitin 2013 që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Përtej kësaj ekziston marrëveshja e parimeve për asociacionit dhe aktgjykimin e gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje”./Insajderi.com