Danas: Po i afrohemi marrëveshjes, rusët pengesë e vetme

Gazeta serbe Danas shkruan se po i afrohemi marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, me kusht që në Serbi të mos mbizotërojnë forcat të cilat janë kundër paqes, stabilitetit dhe hyrjes së Serbisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Danas: Po i afrohemi marrëveshjes, rusët pengesë e vetme

Këto forca gjenden në qeveri te disa ministra, dhe në shërbimet e sigurisë, dhe e kanë përkrahjen e Rusisë, thonë për “Danas” përfaqësuesit e qarqeve diplomatike nga vendet e Perëndimit, duke e komentuar letrën e presidentit  të SHBA Donald Trump të dërguar presidentit të Kosovës Hashim Thaçi. Disa diplomatë perëndimorë pretendojnë për “Danas” se për Rusinë, përkundër përkrahjes deklarative për integritetin territorial të Serbisë, më së shumti i përgjigjen kaosi dhe konfliktet në Serbi dhe në Ballkan. Siç pretendojnë bashkëbiseduesit e gazetës, udhëheqja ruse frikohet nga marrëveshja e Beogradit dhe Prishtinës, sepse kjo do të thotë se Serbia dhe Kosova me shpejtësi do të nisen kah NATO dhe BE”.

Burimet diplomatike pretendojnë se Rusia ka tentuar sipas parimit të njëjtë ta destabilizojë Malin e Zi dhe Maqedoninë, madje edhe Greqinë, ku është tentuar nëpërmes disa njerëzve në hierarkinë kishtare, t’i rrëzojë udhëheqjet e atjeshme, në mënyrë që ta pengojë hyrjen e Malit të Zi dhe Maqedonisë në NATO, gjegjësisht nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës, të cilën në emër të Shkupit dhe Athinës e kanë arritur kryeministrat Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras”.

Sipas informatave të gazetës serbe, edhe kryetari i Serbisë është përcaktuar për marrëveshje përfundimtare me Prishtinën dhe bashkëpunim me vendet të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, mirëpo pengesë për këtë janë strukturat të cilat e kundërshtojnë këtë, dhe janë të përkrahur financiarisht nga Moska. Në këtë kontest, në qarqet diplomatike theksohet se pala kosovare, nuk ka dyshim se do të pranojë gjithë çfarë vjen nga Uashingtoni, i cili do të jetë promotor i marrëveshjes i cili praktikisht do ta merr rrjedhën e mëtutjeshme të negociatave mbi gjetjen e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, pasi BE u tregua i paaftë, aq më tepër pasi po afrohen zgjedhjet për Parlamentin Evropian në maj të vitit të ardhshëm.

Si modeli më realist për marrëveshjen e ardhshme në mes të Kosovës dhe Beogradit, diplomatët nga Perëndimi pretendojnë “modelin e dy Gjermanive”. “Zgjidhja, si qëndrojnë gjërat, nuk do të nënkuptojë asnjë ndryshim të kufijve, por Serbia do ta fitojë asociacionin e komunave serbe në Kosovë, ndërsa Kosova anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, pretendojnë burimet e gazetës serbe Danas./Insajderi.com.