Daut Haradinaj: Kandidati për president i prin listës së AAK-së

Daut Haradinaj: Kandidati për president i prin listës së AAK-së

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se listës së kësaj partie do t’i pri kandidati për president, njofton Insajderi.

Ramush Haradinaj ka shpallur kandidaturën për president të Kosovës, por partitë politike ende nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje për pozitën pesë vjeçare të presidentit.

“Bartës të listës do ta kemi kandidatin për president. Besoj dhe jam optimist se nga këto zgjedhje do të dalim me rezultat dyshifror dhe ta kalojmë numrin mbi 20 deputetë. Kemi ofertë serioze për qytetarët. Lista e kandidatëve për deputetë do të jetë me njerëz të fuqishëm. Do të përfshihen të gjitha kategoritë dhe listën së shpejti do ta përpilojmë, besoj brenda 10 ditësh”, tha Haradinaj në RTK.

Haradinaj shtoi se po kanë përkrahje nëpër komuna, duke pasur besim në rezultat të suksesshëm zgjedhor të këtij subjekti politik.

“Nëse shkojmë në të gjitha komunat që i vizitojmë, kemi pritje dhe energji pozitive. Po ashtu ne qeverin në shtatë komuna me kryetarë komunash, ndërsa në 13 komuna tjera bashkë-qeversim. Kjo na jep mbështetje edhe më të madhe. Edhe përformanca e ministrave tanë na jep shumë besim, sepse ata kanë dhe dëshmuar se janë të jashtëzakonshëm edhe pse janë të rinj. Pra AAK-ja iu ka jap hapësirë të rinjve që të tregohen dhe ata e kanë bërë shkëlqyeshëm këtë gjë”. /Insajderi.com