Deda: Shoqëria civile i propozoi Isa Mustafës të garonte për kryetar të LDK-së

Deda: Shoqëria civile i propozoi Isa Mustafës të garonte për kryetar të LDK-së

Deputeti Ilir Deda, përmes një postimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ka kujtuar edhe disa raste gjatë kohës sa kishte qenë pjesë e shoqërisë civile. Deda ka thënë se në një takim që kishin pasur me Isa Mustafën, kishin kërkuar nga ai që të garonte për kryetar të LDK-së.

Deda, ka shkruar se kishin kërkuar nga LDK që të ngrinin zëri për të këqijat që po ndodhin në Kosovë, në kohën sa ishte qeveria e njohur si Thaçi 1.

Duke kujtuar pranverën e vitit 2010, Deda thotë se kishin kërkuar nga atëherë presidenti Fatmir Sejdiu një vend demokratik, e shton se para tij kishin propozuar edhe kërkesat e tyre, gjithashtu, ai po e  përmend se atëherë kishin menduar se shpresa në LDK në fakt vitne nga Isa Mustafa, që atëherë ishte edhe zëri kryesor kundër PDK-së.

“Nuk pat ndonjë rezultat konkret nga ai takim, përveq zotimit që do të takoheshim rregullisht (takime që kurrë nuk ndodhën më).

Shpresa në LDK në fakt vinte nga Isa Mustafa, i cili u shëndrrua në zërin kryesor politik kundër PDK-së dhe bashkëqeverisjes së LDK-së me PDK. Ishim bërë të gjithë bashkë që ta përkrahnim fitoren e tij “pa balotazh” në vjeshtën e 2009 kundër një fushate agresive të PDK-së. Mendonim se LDK e gjeti zërin e vet dhe mundësinë e reformës përmbajtësore të brendshme”, shton ai, derisa, duke përmendur verën e vitit 2010, thotë se në një drekë pune me Isa Mustafën,  kishin kërkuar nga ai që të angazhoheshin në LDK në rast se i njëjti kandidohej për kryetar të partisë.

“Nuk më kujtohet a ishte muaji gusht apo shtator, por me iniciative të Ylli Hoxhës, rreth 20 figura të organizatave joqeveritare, gazetare e individë nga bota e kulturës u takuam për drekë pune me Isa Mustafën. Ne të gjithë e shprehëm gadishmërinë tonë që të angazhoheshim në LDK në rast se ai do të kandidohej për kryetar të partisë. Profesor Mustafa tha që nuk kishte as ambicie e as dëshirë të kandidonte për të parin e LDK-së në zgjedhjet e brendshme që do të mbaheshin 2 muaj më vonë. Në shtator u vetërrëzua Qeveria Thaçi 1. Në tetor u themelua Fryma e Re. Në nëntor Isa Mustafa u zgjodh kryetar i LDK-së. Në dhjetor pasoi “vjedhja industriale e votave”, ka kujtuar Deda.

Tutje, Deda ka kujtuar edhe pranverën e vitit 2011 kur ai kishte punuar për Atifete Jahjagën, e se pas saj, në një bisedë më Mustafën, sipas tij do të vinte koha e rrugëtimit të përbashkët me LDK-në.

Në vitin 2013, 2014, ndërkaq, deputeti shton se me një grup të personaliteteve publike kishin bërë një plan për ndihmë LDK-së që të dilte e para në zgjedhjet nacionale të radhës.

“Plani ishte diçka si LDK Plus, ku “plusi” ishim nja 15-20 vetë që do të kandidonim në listë të LDK-së dhe ta bënim kapërcimin që i nevojitej LDK-së që të fitonte.  Ky projekt dështoi. Më vonë kam kuptuar që “të moçmit” e LDK-së me përbuzje e kishin refuzuar këtë plan (“LDK fiton vetë!”), përkundër asaj që Isa Mustafa kishte qenë pro”, tha ai.

Gjithashtu, ai ka folur për një histori të viteve më vonë pas krijimit të partisë së tij së bashku me Mimoza Kusarin.

“Nuk mund të lejojmë që ekspoziturat e Lëvizjes Popullore të Kosovës ta shkatërrojnë forcën më të madhe pro-perëndimore në Kosovë” ishte një nga fjalitë që ja thash tash ish- kryeministrit Mustafa në zyren e Qeverisë së Kosovës në takim për marrëveshje për koalicion të Alternativës me LDK-në ku ishim Mimoza, unë, Isa Mustafa dhe Kujtim Shala (më duket që ka qenë edhe Avdullah Hoti). Takimin e kishin ndihmuar Adriatik Kelmendi dhe Naim Rashiti. Kësaj radhe “të moçmit” nuk mund të ndërhynin, LDK ishte 18-20% në sondazhe (Alternativa 3.6-4%, AKR 6%). Profesori shkarazi e përmendi projektin e prezantuar disa vite më herët nga Luli dhe unë. E kishim humbur mundësinë më herët, nuk bën ta humbnim tash”, shton ai.

Në fund, Deda ka potencuar se ishte befasuar për të keq kur iu ishe thënë direkt se i ndalohej fjalimi në tubime të mëdha parazgjedhore, derisa, ai shton se kishte direktiva në terren që i njëjti të mos votohej.