Dega në UP e cila po rrezikon të mbyllët për shkak të mos interesimit

Dega në UP e cila po rrezikon të mbyllët për shkak të mos interesimit

Dega e Orientalistikës, e hapur si dega e dytë në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1973, po bëhet më pak e njohur për studentët, pasi çdo ditë e më pak po ka interesim për ta studiuar këtë drejtim.

Sipas Florim Çunakut, i diplomuar në degën e Orientalistikës, është pothuajse e pamundur të gjesh një vend pune pasi i përfundon studimet, raporton KTV.

Ai shprehet i indinjuar me faktin se si një degë kaq interesante për t’u studiuar, nuk krijon mundësi punësimi në vend.

Por ka të atillë që këtë degë e kanë zgjedhur me shumë pasion, për të krijuar njohuri për kulturën e vendeve të orientit.

Shefi i degës së Orientalistikës, Isa Memishi, thotë se po punojnë në krijimin e kushteve më të mira për studentët.

Thotë se deri tani ka numër të vogël të studentëve dhe për këtë duhet të punojnë edhe institucionet e Universitetit të Prishtinës për të tërhequr sa më shumë studentë.

Dega e Orientalistikës kryesisht merret me studimin e gjuhëve orientale, përfshirë gjuhët arabe, turke, osmane dhe perse.

Në vitin 2016, kjo degë ka krijuar edhe Institutin e Studimeve Orientale, udhëhequr nga profesor Muhamed Mufaku.

Nga fillimi i funksionalizimit të kësaj dege e deri më tash kanë diplomuar mbi 100 studentë, ndërkaq vetëm në vitin e ri akademik 2018/19 janë regjistruar 18 studentë.