Deklarata e ministrit grek për pavarësinë e Kosovës po cilësohet “thikë pas shpine” në Serbi

Deklarata e ministrit grek për pavarësinë e Kosovës po cilësohet “thikë pas shpine” në Serbi

Pas deklaratës së Ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me asnjë ligj ndërkombëtar, media serbe ‘Novosti’, e cila është e afërt me pesidentin serb, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar këtë deklaratë të Dendias si një ‘thikë pas shpine” ndaj Serbisë.

Deklarata e Dendias dhënë gazetës “Real News”, bie ndesh me qëndrimet e Serbisë dhe me qëndrimin e deritanishëm të Greqisë, e cila nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, ndërsa tani ka filluar t’i zbusë qëndrimet.

Kryediplomati grek në këtë intervistë u deklarua rreth legjitimitetit të një njohjeje të mundshme, duke thënë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë në vitin 2010 kishte vendosur që deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte ligjin ndërkombëtar, meqë nuk ishte produkt i një përdorimi të paligjshëm.

“Lidhur me ligjshmërinë e një njohje të mundshme, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës rezultoi në vitin 2010 se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk përbën shkelje të së Drejtës Ndërkombëtare, pasi nuk ishte produkt i përdorimit të dhunës së paligjshme të dënuar nga Këshilli i Sigurisë, siç ishte shpallja e pseudoshtetit (referohet në pseudoshtetin turk në Qipro) në vitin 1983. Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë u themeluan mjaft shtete të reja, asnjë prej të cilëve nuk ishte rezultat i një sulmi të jashtëm”, ka thënë Dendias.

Për vendimin e GJND-së për ta njohur shpalljen e pavarësisë së Kosovës, kjo gazetë e Serbisë i vë faj opozitarit Vuk Jeremiq, i cili ishte përfaqësues i Serbisë në vitin 2010, kur Kosova dhe Serbia u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare.

“Përgjegjësia për çështjen e formuluar dobët të GJND-së në Hagë për paligjshmërinë e të ashtuquajturës pavarësi e të ashtuquajturës Kosova është në ministrin e atëhershëm të Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiq”, thuhet në artikullin e “Novosti”-t.

Në gusht të vitit 2008, kryediplomati i atëhershëm serb, Vuk Jeremiq, kishte paraqitur një kërkesë në Kombet e Bashkuara duke kërkuar një mendim këshillues jo-ligjërisht të detyrueshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nëse deklarata e pavarësisë së Kosovës ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi këtë propozim në tetor të po të njëjtit vit. Në korrik të vitit 2010, GJND lëshoi vendimin e saj, në të cilin u tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës “nuk shkel ligjin ndërkombëtar”. /Insajderi.com