Deklarohen dy zëvendësministrat që u emëruan një ditë para dorëheqjes së Haradinajt

Deklarohen dy zëvendësministrat që u emëruan një ditë para dorëheqjes së Haradinajt

Myzejene Selmani dhe Kadri Kastrati pritet të jenë dy personat që do ta gëzojnë më së shkurti postin e zëvendësministrit të Kosovës. Ata janë emëruar në këtë pozitë një ditë para se Ramush Haradinaj të jep dorëheqje nga posti i Kryeministrit të Kosovës, shkruan Gazeta Insjaderi.

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj kishte marr vendim të enjten që Myzejene Selmani e cila vjen nga radhët e Aleancës Kosova e Re (AKR) të emërohet zëvendësministre në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Po ashtu vendim të njëjtë kishte marr edhe për Gjenerallejtënant, Kadri Kastrati që ta gëzoj postin e zëvendësministrit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Të dy këta zyrtarë e kanë konfirmuar emërimin e tyre për Gazetën Insajderi.

Selmani ka thënë për Insajderin se kryeministrit në largim, Ramush Haradinajt i kishte shkuar vendimi më 16 korrik të këtij vitit.

“Po jam emëruar, me 16-tin [korrik] i ka shkuar vendimi”, ka thënë Selmani për Insajderin.

Kurse Kastrati ka bërë të ditur se për këtë pozitë ai ishte propozuar menjëherë pas dorëheqjes së zëvendësministrit të Mbrojtjes, Agim Çeku. Ai ka thënë se të enjten është marr vendimi që ai ta marr këtë post.

“E vërtetë është, mirëpo nominimi jem është shumë më herët, është pasi ka dhënë dorëheqje zotëri Çeku, pasi që ai vend ka mbet i shprazët për shkak që ai ka dhënë dorëheqje edhe mu më patën nominu për atë vend edhe të enjten kryeministri mori vendim, kështu është, kjo është e vërteta”, ka thënë Kastrati.

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i Kryeministrit të Kosovës, pasi që siç ka njoftuar vetë Haradinaj ka marr ftesë nga Gjykata Speciale për tu intervistuar si i dyshuar. Së bashku me Haradinaj është ftuar edhe Bislim Zyrapi, Sokol Bashota dhe Jakup Krasniqi.

Qeveria e Ramush Haradinajt ka qenë qeveria më e madhe pas Pavarësisë së Kosovës me 21 ministri dhe mbi 80 zëvendësministra. /Insajderi.com