Ambasadori i Kosovës në Bullgari, Edon Cana, ka thënë se do të tërhiqet nga detyra sipas kërkesës së mini" />

Deklarohet Ambasadori Cana: Nuk kam çka kërkoj nëse s’e kam besimin e Konjufcës

Deklarohet Ambasadori Cana: Nuk kam çka kërkoj nëse s’e kam besimin e Konjufcës
Burimi i fotografisë: Ambasadori Edon Cana [djathtas] në shoqërinë e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi

Ambasadori i Kosovës në Bullgari, Edon Cana, ka thënë se do të tërhiqet nga detyra sipas kërkesës së ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

Ministri Konjufca i propozoi të martën Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për lirimin nga detyra të shtatë ambasadorëve të emëruar politikë të Kosovës. Në mesin e tyre është edhe Edon Cana.

Në një bisedë me Gazetën Insajderi, Cana ka thënë se është në pritje të dekretit të Presidentit të Kosovës për lirimin e tij nga detyra dhe se do të tërhiqet nga misioni diplomatik.

“Posa e pranoj dekretin dhe në përputhje me kërkesën e ministrit [Konjufca], unë tërhiqem”, ka thënë Cana për Insajderin. “Nuk kam çka kërkoj këtu nëse nuk e kam besimin e ministrit”. 

I pyetur në lidhje me të ardhmen e tij në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme si staf diplomatik i Kosovës, Ambasadori Cana ka nënvizuar se “këto janë çështje për të cilat do të pronocohem”, siç ka thënë ai, pasi të jenë kryer të gjitha procedurat ligjore.

Cana pozitën e Ambasadorit të Kosovës në Sofje të Bullgarisë është emëruar në vitin 2018. Ai ndodhej në mes të mandatit të tij katër-vjeçar si Ambasador në Bullgari.

Konjufca lajmin për tërheqjen e tyre e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” të martën.

Ai ka thënë se gjashtë ambasadorët në fjalë e kanë përfunduar mandatin e tyre katërvjeçar.

“Që në fillim të mandatit jam zotuar për vendosjen e rregullit dhe të ligjit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës. Një ndër hapat e radhës është edhe kërkesa për kthimin e ambasadorëve politikë, që e kanë përfunduar mandatin 4-vjeçar të paraparë sipas ligjeve në fuqi të Republikës se Kosovës”, njoftoi ministri Konjufca.

Propozimi për tërheqjen e Edon Canës dhe gjashtë ambasadorëve të tjerë i është dërguar Zyrës së Presidentit Thaçi të martën, pasi sipas Ligjit, presidenti udhëheq politikën e jashtme dhe se ai dekreton emërimin apo shkarkimin e ambasadorëve.