Del nga burgu Dalip Brahimi, i famshëm si fajdexhiu më i madh i Prishtinës

Vetëm pesë muaj në paraburgim ka qëndruar Dalip Brahimi, i njohur si "fajdexhiu më i madh i Prishtinës". Ai është liruar në arrest shtëpiak, me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës muajin e kaluar. Rastin e ka konfirmuar sot për Insajderin, avokati i tij, Visar Vehapi. Por, kush është Dalip Brahimi dhe kush është grupi i dyshuar kriminal i tij?

Del nga burgu Dalip Brahimi, i famshëm si fajdexhiu më i madh i Prishtinës

Dalip Brahimi, i famshëm për dyshimet e mëdha për kontrollin në biznesin ilegal të fajdeve në Prishtinë, është liruar nga paraburgimi pas rreth katër muajve.

Brahimi, i afërt me partinë e kryeministrit Ramush Haradinaj – AAK, ishte arrestuar më 21 dhjetor të vitit të kaluar nën dyshimet për kryerjen e veprave penale të “fajdesë”, “detyrimit” dhe pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal”. Që nga data 21 dhjetor, ai dhe katër të dyshuar të tjerë janë mbajtur në paraburgim.

Por, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka liruar atë dhe të dyshuarit e tjerë nga paraburgimi muajin e kaluar. Ndaj tij, Gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, ka bërë të ditur sot, Visar Vehapi, avokat i Brahimit.

Në një prononcim për Insajderin, Visar Vehapi ka deklaruar se Dalip Brahimi ndodhet në arrest shtëpiak tash e disa javë.

“Është në arrest shtëpiak, por s’po e mbajë mend saktë kur është marrë vendimi i Gjykatës. Bëhet fjalë për më pak se një muaj më parë”, ka thënë Vehapi për Insajderin.

E, ky nuk është rasti i parë që biznesmeni i dyshimtë, Dalip Brahimi, ka telashe me ligjin.

Ai ka qenë i akuzuar në një rast për pastrim parash me toka në Çagllavicë, përfshirë Mehmet Prishtinën, shoferin e Azem Sylës, Arton Vilën dhe biznesmenë të lidhur me PDK-në, siç është Bejtush Zhugolli. Mes të akuzuarve ishte edhe djali i ish-kryetarit të Vushtrrisë, Bajram Mulaku, Albioni.

Përfshirja në këtë rast ka nxitur dyshime të më mëdha për prejardhjen e parave të tij.

Përpos dyshimeve për kryerjen e veprave penale, biznesmeni Dalip Brahimi njihet edhe për afërsinë me politikanë. Ai është i afërt me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, partinë e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Disa fotografi që qarkullojnë në internet, e shfaqin Brahimin në shoqëri të zyrtarëve të AAK-së. Madje, në profilin e tij në Facebook, Dalip Brahimi ka publikuar fotografi me kryeministri Ramush Haradinaj.


Dalip Brahimi (djathtas në fotografi) në shoqëri me kryeministrin, Ramush Haradinaj

Përveç Dalip Brahimit, në aksionin e Policisë së Kosovës më 21 dhjetor në Prishtinë, ishin arrestuar edhe djali i tij, Rrahim Brahimi, si dhe Ismet Salihu, Bujar Gërbeshi e kryetari i tifogrupit “Dardanët”, Lulzim Berisha – i njohur me si “Luli”, shkruan Insajderi.

Ata dyshohen se janë pjesë e një grupi kriminal që merret me fajde e lojëra ilegale të fatit.

“Luli”, i liruar nga të gjitha masat 

Për dallim nga Dalip Brahimi dhe të tjerët, kryetari i tifogrupit “Dardanët”, Lulzim Berisha, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është liruar nga të gjitha masat.

Nasuf Hasani, avokati i Berishës, ka thënë sot për Insajderin se klienti i tij është liruar nga paraburgimi rreth një muaj më parë, mirëpo ka thënë se nuk është në dijeni nëse ndaj Berishës është ngritur aktakuzë.

“Asnjë masë ndaj tij [Lulzim Berishës, v.j] nuk ka. Ai është i lirë”, ka thënë Hasani për Insajderin të shtunën. “Ndërkaq, sa i përket aktakuzës, ne nuk kemi asnjë njoftim se ka aktakuzë ndaj Lulzim Berishës”.

Ai ka treguar se klienti i tij u lirua nga të gjitha masat për shkak të një problemi shëndetësor.

“Luli ka pasur edhe problem me zorrë të trashë dhe është dashur gjithsesi që të ketë një trajtim pak më të veçantë dhe do të thotë kanë pushuar ato arsyet ligjore me të cilat pushohet një masë”, ka thënë Hasani.

Hasani u shpreh se klienti i tij, kryetari i tifogrupit zyrtar të përfaqësueses së Kosovës në futboll, Lulzim Berisha, nuk është i përfshirë në grupin kriminal, për të cilin ka ngritur dyshime Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Aty, në atë rast, nuk është veç Luli por janë edhe disa persona të tjerë. Luli nuk është aspak i përfshirë në këto gjëra dhe absolutisht Prokuroria nuk e ka asnjë provë që Luli ka marrë para ose diçka e tillë”, është shprehur Hasani.

Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj Brahimit, “Lulit” dhe të tjerëve

Prokuroria e Shtetit ka konfirmuar se ka ngritur aktakuzë ndaj pesë të dyshuarve për “fajde”, “detyrim” dhe “pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”, në mesin e të cilëve janë Dalip Brahimi dhe Lulzim Berisha – “Luli”.

Megjithëse kanë konfirmuar ngritjen e aktakuzës ndaj të dyshuarve, nga Prokuroria e Shtetit kanë thënë se nuk janë në dijeni nëse grupi i Brahimit është liruar nga paraburgimi.

Insajderi, gjatë ditës së shtunë ka kontaktuar me kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu dhe zëdhënësin për media të Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutfiu, për të marrë informacione lidhur me të dyshuarit për fajde e detyrim. Të dy kanë thënë se nuk janë në dijeni për lirimin nga paraburgimit të të dyshuarve.

Por, përmes një bisede telefonike, Ekrem Lutfiu ka thënë se Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj tyre.

“Aktakuzë ndaj këtyre personave ka, mirëpo nuk jam në dijeni nëse janë liruar nga paraburgimi apo jo. Mund ta pyesni gjykatën për këtë gjë”, ka thënë Lutfiu.

Ndërkaq, avokatët e disa prej të dyshuarve, i thanë Insajderit se pikërisht me propozim të Prokurorisë së Shtetit të dyshuarit janë liruar nga paraburgimi.