Delawie: Kosova s’ka humbur tokë, Komisioni Bulliqi përmban gjepura

Delawie: Kosova s’ka humbur tokë, Komisioni Bulliqi përmban gjepura

Komisioni i ngarkuar nga kryeministri Haradinaj dhe i drejtuar nga Shpejtim Bulliqi përdori “gjepura dhe shprehje latine për të fshehur përfundimin” ndonëse nuk u pëlqente përgjigja sepse rrjedhimisht i çonte te e njëjta përgjigje si e komisionit paraprak. Kështu e vlerësoi ambasadori amerikan, Greg Delawie, raportin e prezantuar dje për demarkimin e kufijve me Malin e Zi.

Sipas tij, duhet të kalohet marrëveshja e nënshkruar në vitin 2015 dhe njerëzit nuk duhet të bazohen në lajme të rrejshme apo sqarime imagjinare të realiteteve alternative.

“Në thelb ata thanë: “shihni, nëse i shikoni regjistrat kadastralë, na e merr mendja që ndoshta vini në të njëjtën përgjigje si komisioni i mëparshëm”, por qartazi atyre nuk iu pëlqeu kjo përgjigje. Prandaj, përdorën gjithë ato gjepura dhe shprehje latine në përpjekje për të fshehur… … gjepuradhe shprehje latine për ta fshehur atë përfundim. Shikoni, e kuptoj që njerëzit kanë opinione të forta për këtë çështje. E kuptoj se nganjëherë të gjithë do të donim që historia të kishte qenë pak më ndryshe, por mendoj se është me rëndësi të përballemi me shumicën e çështjeve në mënyrë realiste. E realiteti këtu është se kjo është çështje shumë e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Unë dëshiroj që Kosova të ketë mundësi ta fitojë liberalizimin e vizave. BE-ja e ka bërë të qartë se çka duhet të bëhet për këtë çështje. Kjo marrëveshje për kufirin është njëra ndër çështjet më të rëndësishme, dhe mendoj se është e qartë që përgjigja për Kosovën, për Kuvendin e Kosovës – tash që kjo çështje është në Kuvend – është se duhet të kalohet marrëveshja për shënimin e kufirit ashtu siç është. Nuk mendoj se njerëzit duhet të bazohen në lajme të rrejshme apo sqarime imagjinare të realiteteve alternative për tu marrë me çështjet e rëndësishme që ndikojnë në të ardhmen e dy milionë kosovarëve dhe mundësitë e tyre për të udhëtuar më lirshëm nëpër Evropë. Veçanërisht kur përgjigja e drejtë është para jush dhe ka qenë aty gjithë kohën”, ka thënë Delawie.

Ai rithekson se qëndrimi amerikan nuk ndryshon.

“Ne kemi thënë në vitin 2015 se marrëveshja për shënimin e kufirit e asaj kohe ka caktuar vijën ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi që ka qenë aty prej vitit 1974, se sipas ekspertëve të Departamentit të Shtetit e kanë bërë këtë në mënyrë korrekte dhe ne e kemi mbështetur atë marrëveshje. Pra, mendoj se është me rëndësi të kuptohet kjo. Arsyeja pse viti 1974 është i rëndësishëm është sepse kjo ishte koha kur kushtetuta e Kosovës thoshte se territori i Kosovës përbëhet nga territori i komunave të Kosovës. E natyrisht, komunat bazohen në regjistrat kadastralë të komunave. Tani, mendoj se ky grupi i ri në thelb e ka miratuar këtë ide, edhe pse ndoshta paqëllimshëm”, tha ai.

Delawie konsideron se nuk duhet humbur kohë, veçanërisht sic thotë ai, “kur përgjigja e drejtë është para jush dhe ka qenë aty gjithë kohën”.