Demantohet Xhelal Sveçla – këshilltari i Pacollit tregon ku është shefi i tij me lokacion

Demantohet Xhelal Sveçla – këshilltari i Pacollit tregon ku është shefi i tij me lokacion

Naim Murseli, këshilltari i deputeti të Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli ka demantuar Ushtruesin e Detyrës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Murseli në një përgjigje për Gazetën Insajderi ka treguar se shefi i tij gjendet në apartamentin e tij në Tiranë.

“Ai gjendet në apartamentin e tij në Tiranë, lidhur me ardhjen e tij do të njoftohen të gjithë, por aktualisht qëndron në kryeqytetin shqiptar”, ka thënë Murseli për Insajderin.

Gjatë ditës së djeshme, ministri në detyrë, Sveçla doli në një konferencë ku ngriti dyshimet se i pari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli është futur në mënyrë ilegale në Kosovë përmes presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

“Mbrëmë vonë i informuar nga ana e Policisë kufitare, që Presidenti i Republikës së Kosovës, zotëri Hashim Thaçi, ka kaluar kufirin shtetëror, pak para orës 18:00 në drejtim të Shqipërisë, i njëjti është kthyer në Kosovë pas pak orës 19:00. Kur eskorta e presidentit është ndalur është konstatuar që në veturën e dytë ndodhet presidenti, po ashtu është vërejtur që presidenti ishte ulur në ulësen e parë përkundër rregullave të sigurisë për personat VIP, po ashtu policia për shkak të xhamave të zi nuk ka mundur të dallojë nëse ka persona të tjerë ulur prapa, vetura e presidentit ka qenë e shoqëruar vetëm me nga një veturë tjetër në të cilën ka qenë vetëm shoferi”, ka thënë Sveçla.

Pas kësaj deklaratë kishte reaguar presidenti Thaçi, i cili në një lidhje telefonike në emisionin Debat Plus në TV Dukagjini e quajti Lëvizjen Vetëvendosje, ndërmarrje kriminale.

“Që prej çlirimit të Kosovës, deri dje kur kam dal dhe hyrë në Kosovë, kamë hyrë që 20 vjet. Sa i përket Kurtit dhe Sveçlës si kompani kriminale unë jam në shtëpi. Të mos krijojnë marrëzira, e të kërcënojnë as Pacollin. Lokacioni im është shtëpi, për Sveçlen, edhe për shefin e tij, dhe për ndërmarrjen e tyre kriminale”, ka thënë Thaçi mbrëmë.

Por ndaj kësaj deklarate të Thaçit nuk kishte qëndruar i heshtuar as kryeministri në largim, Albin Kurti.

Kurti përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, shkroi se Thaçi është një shembull i keq për tu ndjekur derisa e quajti kalama dhe e ftoi në përballje televizive.

“Sa për sharjet e fyerjet që m’i bën, duke thirrur me zërin që i dridhet porsi kalama nëpër studiot televizive, e kam zgjidhjen: le ta organizojmë një debat televiziv ku dalim ne të dy, pra, unë Kryeministri në detyrë dhe ai Presidenti jashtë detyrës. Nëse don, le ta marrë me vete edhe Behgjet Pacollin. Në atë rast, po, edhe unë po e marr Xhelal Sveçlën e Rashit Qalajn”, ka shkruar Kurti. /Insajderi.com