Demarkacioni nuk futet në Raportin e Komisionit Evropian

Demarkacioni nuk futet në Raportin e Komisionit Evropian

Institucionet e Kosovës presin që raporti për vendin, i cili më parë është quajtur Raporti i Progresit, do të paraqet gjendjen reale që kanë bërë institucionet e vendit.

Ky raport i cili do të publikohet nga Komisioni Evropian më 17 prill, do të identifikojë të arriturat dhe sfidat për Kosovën, që nga raporti i fundit i publikuar në vitin 2016.

Ministria e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha ka  thënë se pritjet janë që raporti të paraqes një pasqyrë reale të progresit të cilin vendi ynë e ka bërë gjatë dy viteve të fundit, periudhë të cilën ky raport e mbulon.

Ajo për lajmi.net, ka thënë se pjesë e këtij raporti do të jetë edhe mbajtja e zgjedhjeve, të cilat kanë ndikuar në ngecjen e reformave.

“Pritjet tona janë që raporti të paraqes një pasqyrë reale të progresit të cilin vendi ynë e ka bërë gjatë dy viteve të fundit, periudhë të cilën ky raport e mbulon. Siç e dini, ky raport mbulon të gjitha aspektet që ndërlidhen me procesin integrues, por edhe të gjitha institucionet qeverisëse, prandaj në raport do të ketë diçka për secilin. Siç e dini një karakteristikë e kësaj periudhe do të jenë edhe fakti që janë mbajtur edhe zgjedhjet dhe kjo si në çdo vend tjetër e ka edhe ndikimin e vet në ecurinë e reformave”, është shprehur ajo.

Hoxha ka thënë se janë siguruar që çdo arritje e institucioneve tona është raportuar te Komisioni Evropian të cilët e përpilojnë këtë raport.

Ky raport do të jetë vlerësim për të gjitha punët që kanë bërë institucionet e Kosovës, deri në shkurt të vitit 2018, ndërsa që ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, që ka ndodh në muajin mars, e që ka qenë njëri prej kritereve kyç për liberalizmin e vizave, nuk pritet të jetë pjesë e vlerësimit të tij.

Megjithatë, ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha pret që çështjet që kanë të bëjnë me liberalizmin e vizave do të mbulohen.

“ Ky është një raport gjithëpërfshirës, dhe patjetër se çështjet e ndërlidhura me liberalizimin e vizave do të mbulohen. Nuk mund të them deri në çfarë mase apo sa hollësi do të jepen.  Pa hyrë në çështje teknike, besoj se raporti do të mbuloj çdo zhvillim të rëndësishëm që ka ndodhur para datës së publikimit të tij”, ka thënë Hoxha, për lajmi.net.

Për të bërë vlerësimin real dhe faktik të zhvillimeve në Kosovë, institucionet e Kosovës kanë pranuar afro 1,500 pyetje nga Komisioni Evropian.

Raporti i Progresit i Komisionit Evropian është një nga dokumentet më të rëndësishme që matë progresin ekonomik, politikë dhe shoqëror të një vendi I cili synon anëtarësimin në BE.