Demarkacioni procedohet në Kuvend të hënën

Demarkacioni procedohet në Kuvend të hënën

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka zhvilluar një bisedë telefonike me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit të SHBA-ve, Hoyt Yee, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Sic njofton Zyra e Kryeministrit, Mustafa e informoi për proceset aktuale në vend si dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për avancimin e progresit dhe çështjeve të rëndësishme për qytetarët dhe të ardhmen e vendit.

Në njoftim thuhet se u bisedua vecmas për marrëveëshjen e demarkacionit me Malin e Zi, e cila do të dërgohet në Kuvend të hënën për t’u ratifikuar.

“Kryeministri Mustafa dhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Yee u pajtuan që të hënën Qeveria t’ia procedojë Kuvendit të Republikës së Kosovës Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

“Si rrjedhim, Qeveria e Kosovës do të mblidhet të hënën dhe ky projektligj do të përcillet në Kuvendin e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim

“Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Yee, e konsideroi vendim të duhur adresimin e kësaj çështje të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj, duke shprehur bindjen se kjo marrëveshje do të votohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit”.