Dëmtohen varrezat e romëve, ashkalive dhe egjiptasve në Rahovec – Reagon deputeti Krasniqi

Dëmtohen varrezat e romëve, ashkalive dhe egjiptasve në Rahovec – Reagon deputeti Krasniqi

Banorët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në komunën e Rahovecit, sot kanë njoftuar se u janë dëmtuar varrezat në këtë komunë, nga persona ende të paidentifikuar nga organet e rendit, shkruan Gazeta Insajderi.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit egjiptas, Elbert Krasniqi i cili e ka dënuar këtë akt. Ai nëpërmjet një statusi në Facebook i ka ftuar organet e rendit që t’i ndriçojnë sa më shpejtë rrethanat e këtij akti.

“E dënojmë fuqishëm dëmtimin e varrezave të komunitetve në komunën e Rahovecit. Kosova është vendlindja jonë e përbashkët, andaj çdo akt të dhunës dhe shpërfilljes së integritetit njerëzor, e dënojmë fuqishëm. IRDK fton organet e rendit që t’i ndriçojnë sa më shpejtë rrethanat e këtij akti ç’njerëzor dhe autorët e këtij veprimi të turpshëm të dalin para drejtësisë”, ka shkruar Krasniqi.

Pas tij, ka reaguar edhe kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi. Ai ka thënë se do të qëndrojmë së bashku me komunitetet në Kosovë për të dënuar këtë akt të ulët të vandalizmit dhe përdhosjes.

Tutje, Latifi i ka ftuar organet e rendit që t’i ndriçojnë sa më shpejtë rrethanat e këtij akti, që sipas tij janë ç’njerëzore.

“E dënojmë fuqishëm dëmtimin e varrezave të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptas në komunën e Rahovecit. Ne qëndrojmë së bashku dhe solidarizohemi me komunitetet në Kosovë për të dënuar këtë akt të ulët të vandalizmit dhe përdhosjes. Distancohemi qartë nga veprime të tilla kriminale. Kosova është vendlindja jonë e përbashkët, e harmonisë dhe bashkëjetesës, andaj çdo akt të dhunës dhe shpërfilljes së integritetit njerëzor, e dënojmë fuqishëm. Ftoj organet e rendit që t’i ndriçojnë sa më shpejtë rrethanat e këtij akti ç’njerëzor dhe autorët e këtij veprimi të turpshëm të dalin para drejtësisë. SL”, ka shkruajtur Latifi në Facebook.